Tahiri fton homologun grek dhe italian: Marrëveshje trepalëshe bashkëpunimi

47

tahiriMinistri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u propozon homologëve të tij në Itali dhe në Greqi krijimin e një Trekëndëshi të Sigurisë Detare, mes tre shteteve fqinje.

Në letrën e tij drejtuar dy ministrave, zoti Tahiri thekson se “Bazuar në analizën e specialistëve tanë, por jo vetëm, rezulton se grupe kriminale shqiptare e jo vetëm, po bashkëpunojnë në mënyrë shumë të organizuar dhe tejet efikase në trekëndëshin kufitar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore, duke e shndërruar sakaq këtë trekëndësh në një zonë me parametra të ulët të sigurisë”.

Më tej, ministri Tahiri nënvizon se “shtimi i përpjekjeve në një formë më të integruar, nëpërmjet forcave të sigurisë së tre vendeve, do t’i shërbejë më tej intensifikimit të marrëdhënieve tona dhe sigurisë ndërkufitare e rajonale”.

Në këtë kuadër, ministri Tahiri fton Ministrin e Brendshëm të Republikës së Italisë Angelo Alfano dhe Ministrin e Brendshëm të Greqisë Nikos Dendias të zhvillojnë një takim të përbashkët në Shqipëri.  “Ky takim do t’i shërbejë diskutimit dhe arritjes së një marrëveshje trepalëshe bashkëpunimi, në kuadër të luftës kundër trafiqeve të paligjshme që kryhen në det”, shkruan ministri Saimir Tahiri.