Sulmohet Muzeu i Alfabetit në Manastir

57
dereDrejtori i Muzet të Alfabetit Gazmend Hoxhaj ka bërë të ditur se “Në orën 3 e 30 të mëngjesit disa persona kanë dëmtuar derën kryesore të Muzeut e më pas kanë hyrë në ambjentet e brendshme ku janë dëmtuar 9 nga 11 vitrinat ku kanë qënë të ekspozuara dokumenta të ndryshme. Janë thyer dritaret dhe dyshemeja duke shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm material.“Dokumentet që janë brenda nuk janë dëmtuar. Kemi formuar komision për të vlerësuar dëmet dhe kemi përfunduar punët dhe kemi arritur të vlerësojmë dëmin. Dëmi më I madh është që dikush me këtë akt ka dashur të dërgojë ndonjë porosi. Por ata kanë gabuar me këtë porosi, sepse në këtë mënyrë nuk dërgohen mesazhe. Kjo nuk i ka hije qytetarisë së tillë manastirase. Kjo është një porosi për të rrënuar bashkëjetesën, mirëpo i bëjmë me dije se ata nuk mund të na mposhtin”, theksoi drejtori i këtij muzeu, Gazmen Hoxha.

Gjithashtu ai ka bërë të doitur se të paktën 4 herë të tjera ka pasur incidente me natyrë etnike, pasi në muret e Muzeut janë shkruar parulla me përmbajtje antishqiptare, por drejtori Hoxhaj thekson se incidenti i fundit përcjell një mesazh shumë të keq, pasi 24 maji shënon ditën e Shën Cirilit dhe Metodit, festë shtetërore në Maqedoni e arsimit të popujve sllavë.

Pas ngjarjes është ngritur një komision për vlerësimin e dëmit, ndërsa drejtuesit e Muzeut premtojnë kthimin në gjendjen e mëparshme, pasi dokumentat e dëmtuar janë të ruajtura në formë elektronike e mund të riprodhohen. Ndërkaq ka nisur hetimi për çështjen, por autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar.

Ndërkohë edhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke shprehur indinjatën e thellë për dëmtimin që i është bërë Muzeut të Alfabetit në qytetin e Manastirit. PDIU i bën thirrje qeverisë maqedonase të nxjerrë menjeherë përgjegjësit vandalë para drejtësisë si dhe të marrë sa më shpejt masa për meremetimin e saj dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme.

“Ky është një cënim i rëndë që i bëhet trashëgimisë historike dhe shpirtërore shqiptare pasi ngjarja që ky muze shënon, pra Kongresi i Manastirit është një ndër etapat më të lavdishme të historisë së Shqipërisë dhe gëzon vend të veçantë në çdo zemër shqiptari. Duket qartazi që ky akt ka në sfond urrejtjen anti-shqiptare dhe motivohet nga përpjekjet sllave për të fshirë përkatësinë etnike të qyteteti shqiptar të Manastirit. PDIU i bën thirrje qeverisë maqedonase të nxjerrë menjeherë përgjegjësit vandalë para drejtësisë si dhe të marrë sa më shpejt masa për meremetimin e saj dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu ne i bëjmë thirrje edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të kërkojë sqarime të mëtejshme për ngjarjen e rëndë dhe të bëj presion në mënyrë që trashëgimia kulturore shqiptare të jetë sa më e mbrojtur dhe të tilla raste të parandalohen në të ardhmen.”- thuhet në deklaratën e PDIU-së.