Sulmi në Siri, përpjekje të reja për të bindur Kongresin

52

dianne feisteinTë dhënat e shërbimeve amerikane të zbulimit lidhur me Sirinë që iu paraqitën dje në mënyrë sekrete senatorëve kanë forcuar bindjen e atyre që mbështesnin idenë e sulmit, por nuk kanë arritur të ndryshojnë qëndrimin e senatorëve të lëkundur.

Në një seancë e cila u mbajt me dyer të mbyllura, senatorët dëgjuan dëshmitë e operativëve në terren që kishin ardhur në Kapitol për të prezantuar argumentat e administratës për të ndëshkuar regjimin e Bashar al-Asadit.

Pas mbledhjes, Kryetarja e Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit Dianne Feinstein tha se provat se janë përdorur armë kimike në Siri janë më bindëse se sa provat që iu paraqitën ligjvënësve para ndërhyrjes së vitit 2003 në Irak.

“Të dhënat e zbulimit janë të ndryshme. Janë shumë më të forta. Ato çojnë në përfundimin se armët kimike u përdorën në Siri” tha ajo.

Javën e kaluar, zonja Feinstein shprehu shpresën se komuniteti ndërkombëtar do të ndëshkonte Sirinë për sulmin e muajit të kaluar që la të vrarë mbi 1400 vetë. Por ndërkohë që nuk duken shenja të formimit të një koalicioni të gjerë, Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë, tha zonja Feinstein.

“Sapo administrata Obama e bëri njoftimin, mendoj se është e nevojshme ta mbështesim, ndryshe Amerika do të shihet si tigër prej letre”.

Feinstein tha se po përpiqet të bindë senatorët e tjerë të votojnë pro rezolutës që u miratua në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, e cila autorizon përdorimin e forcës kundër Sirisë.

Senatorë të tjerë nuk shprehën mbështetje për rezolutën as para, as pas seancës së informimit. “Këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhjen mes pasivitetit dhe goditjes ushtarake. Ka mënyra të tjera për të ushtruar presion ndërkombëtar mbi regjimin e Asadit. Prandaj nuk kam vendosur ende si të votoj” tha republikania Susan Collins.

Senatori demokrat Ron Wyden ishte gjithashtu i pavendosur. “Provat se regjimi i Asadit ka ndërmarrë sulme barbare me armë kimike janë të qarta. Por rezultati i një goditjeje ushtarake nuk është i qartë”.

Senati në seancë të rregullt pritet të votojë javën e ardhshme lidhur me rezolutën për autorizimin e sulmit. Rezoluta parashikon sulme për të dëmtuar aftësitë ushtarake të Sirisë, por përjashton dërgimin e forcave tokësore amerikane. Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët po analizon një masë tjetër të ngjashme, por nuk është caktuar ende data për ta hedhur në votë.