Teksti tashmë i miratuar nga Parlamenti Europian, synon që Shtetet Anëtare të fiksojnë një dënim me burgim maksimal, duke filluar nga minimumi dy vite burgim për krimet e mëposhtme : hyrje ilegale në sistemet e informimit ose ndërhyrja në heshtje në këto sisteme, interferimi në heshtje tek të dhënat, përgjimi ilegal i komunikimeve, ose prodhimi dhe shitja me qëllim i mjeteve të përdorura për të kryer këto krime.
Rastet e vogla janë përjashtuar, por ngelet në kompetencën e çdo shteti anëtar të përcaktojë përkufizimin e rasteve ‘të vogla’. Rezoluta e hartuar nga Monika Hohlmeier (PPE, DE) është adoptuar me 541 vota pro, 91 kundër dhe 9 abstenime.
« Rrjetet Zombie »
Projekt Direktiva do të fusë gjithashtu një dënim me të paktën 3 vite burgim, për përdorim të “rrjeteve Zombie”, që synojnë një kontroll në distancë të një numri të konsiderueshëm kompjuterësh, duke i infektuar nëpërmjet sulmeve të shënjestruara kibernetike. (shën.red. Rrjetet ‘Zombie’ , kanë të bëjnë me infektimin e një sërë kompjuterësh nëpërmjet dërgimeve të programeve të caktuara, të cilat e transformojnë kompjuterin në një Zombie/Mumje. Në këtë moment kompjuteri mund të kryejë detyra automatike në Internet, pa dijeninë tuaj. Kryesisht kriminelët kibernetikë, përdorin Zombie për të infektuar një rrjet kompjuterësh për t’i përdorur më pas, për shpërndarje mesazhesh të padëshirueshme, për shpërndarje virusësh, për sulme kibernetike, etj. Në këtë mënyrë, personat zotërues të kompjuterëve, pa e ditur bëhen bashkëpunëtorë të kriminelëve kibernetikë.)
Sulme ndaj infrastrukturës kritike
Projekt Direktiva parashikon, dënim maksimal me burgim për sulme kundër infrastrukturave kritike, siç janë centralet nukleare, rrjetet e transportit dhe ato qeveritare, duke filluar minimalisht me 5 vite burgim. I njëjti dënim, do të aplikohet nëse një sulm është kryer nga një organizatë kriminale, apo nëse ajo shkakton dëme serioze.
Afat prej 8 orësh për kërkesat urgjente
Pikat e kontaktit të përcaktuara nga Shtetet Anëtare, do t’iu përgjigjen kërkesave urgjente, në një afat prej 8 orësh në rast të sulmeve kibernetike, me synim shndërrimin e bashkëpunimit policor më efikas.
Përgjegjësia e personave moralë
Personat moralë, si psh. ndërmarrjet, do të jenë përgjegjëse për shkeljet e kryera për llogari të tyre (psh. për angazhimin e një pirati informatik me synim pasjen e aksesit në bazën e të dhënave të një konkurrenti) . Dhënia fund e përfitimeve të një avantazhi apo ndihmës publike apo mbyllja e ndërtesës në fjalë, do të jenë sanksionet, që do prekin këto kategori.
Teksti i adoptuar nga PE, do të miratohet së shpejti formalisht edhe nga Këshilli. Direktiva e re ngrihet mbi rregulla, që janë në fuqi që prej 2005. Pas adoptimit, Shtetet Anëtare duhet ta përfshijnë brenda dy viteve në legjislacionin e tyre kombëtar./im.ta/