Stuhi të fuqishme në SHBA dhe Kinë

26

Të paktën 50 persona kanë humbur jetën në Filipine si pasojë e tajfunit, por bilanci nuk mund të mbyllet me kaq, pasi dëmet në zonat rurale janë ende të panjohura. Mangkhut konsiderohet stuhia më e fortë e vitit 2018. Autoritetet në Hong Kong kanë lëshuar alarmin, me banorët që janë paralajmëruar të qëndrojnë mbyllur.

Era ka arritur deri më tani shpejtësinë e 117 km/h. Niveli i ujrave është rritur me rreth 3.5 metra në disa zona dhe peshqit kanë dalë tani edhe nëpër rrugë.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, komunitetet në brigjet lindore po përballen me reshje rekord shiu si pasojë e stuhisë tropikale Florence, që deri më tani fajësohet për të paktën 14 viktima. Florence ka shkaktuar përmbytje katastrofike që kur preku tokën si një uragan i kategorisë një, të premten. Disa qytete kanë regjistruar deri në 60 cm shi në dy ditë.

Druhet se akoma më shumë komunitete mund të përmbyten, ndërsa stuhia vijon të ecë drejt perëndimit me një shpejtësi prej vetëm 3 km/h. Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur gjendjen e katastrofës në 8 konte në Karolinën e Veriut, një lëvizje kjo që lejon ndërhyrjen federale me ndihma e asistencë. Presidenti madje, sipas Shtëpisë së Bardhë, pritet që javën e ardhshme të vizitojë personalisht zonën.