Spiropali: Do të ulen çmimet e referencës

76

elisa2-spiropaliÇmimet e referencave në doganë vazhdojnë të mbeten një problem për sipërmarrësit shqiptarë e të huaj që operojnë në vend. Gjatë një takimi mes përfaqësuesve të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Administratës Doganore është prezantuar projekti për heqjen e këtyre çmimeve me vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve brenda një periudhe njëvjeçare. Përfaqësues të biznesit kanë kërkuar sqarime për mënyrën e procedimit të heqjes së çmimeve të referencës.

Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali tha se, procedura do të bëhet gradualisht, megjithatë nuk dha një datë për përfundimin e këtij   procesi. Çmimet e referencës janë aplikuar në të shumtën e rasteve si formë për të realizuar planin e të ardhurave nga doganat, ndërkohë që sipas ligjit, ato zbatohen vetëm atëherë kur ka dyshime ose paqartësi dokumentacioni lidhur me çmimet e blerjes së mallit jashtë vendit.

Për të shmangur abuzimet e mundshme me faturat dhe kontratat e blerjes së mallrave, doganat aplikojnë çmime standarde të bazuara në kriteret e tregut dhe në të dhënat e mallit. Një çmim reference më i lartë se realiteti do të thotë drejtpërdrejt një tarifë më e lartë për konsumatorin. Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali  ishte në takimin e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Këshilli Ekonomik Kombëtar.

Ajo shoqërohej nga Kevin Atkinson, përfaqësues i Croën Agents, Ervina Domi, Drejtore e Drejtorisë Juridike, Genc Celi, Drejtor i Drejtorisë së Tarifës dhe Origjinës dhe Këshilltarët. Spiropali, siguroi bizneset që po punohet intensivisht për uljen graduale të aplikimit të çmimeve të referencës, veçanërisht për mallra që importohen nga shtetet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, diskutimi në lidhje me çmimet e referencës mbetet një debat i hapur me komunitetin e biznesit.