Skandali i përgjimeve, BE nis delegacionin në SHBA

52

US and EU flagsSkandali i survejimit të rrjetit të komunikimeve celulare të qytetarëve dhe të politikanëve europianë, është në qendër të vizitës të një delegacioni europian në Uashington, këtë javë. PE ka hapur një hetim mbi skandalin e survejimit të NSA dhe të ndikimit të saj mbi qytetarët evropiane. Në programin e takimit figurojnë gjithashtu, reforma mbi mbrojtjen e të dhënave në Bashkimin Europian dhe pezullimi i mundshëm i Marrëveshjes SWIFT, i kërkuar nga Parlamenti Europian.

Kryesuesi i Delegacionit europian Claude Moraes ka deklaruar, se do të kenë mundësinë të diskutojnë direkt me homologët e tyre mbi pohimin e aktiviteteve të survejimit nga autoritetet amerikane dhe të ndikimit të mundshëm mbi të drejtën themelore për jetë private të qytetarëve evropianë.

Sipas Moraes, prioriteti thelbësor i këtij hetimi, është mbledhja e të gjithë informacioneve konkrete si edhe prova që vijnë nga burime amerikane.

Ndërsa Elmar Brok, President i Komisionit të Punëve të Jashtme, ka vlerësuar se negociatat mbi zonën e shkëmbimit të lirë transatlantik, janë të një rëndësie ekonomike dhe politike të rëndësishme për SHBA dhe BE, në rendin e ri botëror. Sipas Brok, kjo është arsyeja që Shtetet e Bashkuara duhej p.sh, të ndalonin së bllokuari negociatat, që kanë ngecur mbi draft-marrëveshjen midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, për sa i përket ruajtjes së të dhënave dhe thjeshtësimit të Marrëveshjes. 

‘Të drejtat e qytetarëve europianë nuk duhet të trajtohen sikur të ishin më pak të rëndësishme, se ato të qytetarëve amerikanë’,- shtoi ai.

Të mërkurën, dy komisionet janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të shkëmbyer pikëpamjet e tyre me Karen Donfried, Drejtoreshën kryesore të çështjeve europiane të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Delegacioni i Komisionit të Punëve të Jashtme, do të marrë pjesë më vonë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork./i.t/