Shtypi: “A është Franca raciste?”

59

ministrja francezeVOA

“A është Franca raciste?” ishte  titulli i artikullit të një gazete kryesore franceze, pasi një revistë e së djathtës ekstreme krahasoi ministren e drejtësisë, e cila është me origjinë afrikane, me një majmune. Ngjarja ka shkaktuar debate në Francë, ku Fronti Kombëtar, parti e së djathtës ekstreme, ka fituar pikë në disa sondazhe, dhe shifrat tregojnë një rritje prej 23 për qind të incidenteve të raportuara me motive raciste gjatë vitin e kaluar.

Para pak kohe, kopertina e revistës Minute e quajti ministren e drejtësisë Christiane Taubira “të zgjuar sa një majmune.”  “Taubira merr bananen e saj,” vazhdonte më tej artikulli.

Një gjykatë në Paris ka hapur një hetim zyrtar mbi incidentin. Zëvendës ministrja e arsimit George Pau-Langevin e quajti artikullin një sulm të vlerave franceze:

“Mendoj se ne të gjithë mbrojmë  vlerat e Republikës, sepse ajo është themeluar mbi refuzimin e diskriminimit dhe të racizmit, ajo bazohet tek  barazia e të gjithë njerëzve. Prandaj, çdo gjë që është kundër këtyre parimeve themelore të Republikës e dëmton atë.”

Zonja Taubira ka lindur në Guajanën Franceze, një ishull që i përket Francës dhe ka qenë viktima e disa fyerjeje raciste. Një kandidat i Frontit Kombëtar e krahasoi atë me një shimpanze.

Natyra e debatit publik në Francë ka ndryshuar kohët e fundit, thotë Rainbow Murray, një eksperte e politikës së djathtë franceze, nga Universiteti “Queen Mary” i Londrës.

“Ka patur gjithmonë një racizëm pas fasadave në Francë, që tregohet nga vështirësia e pakicave kombëtare për të gjetur punësim. Por ka patur ndoshta më shumë gatishmëri për ta shprehur racizmin hapur muajt e fundit.”

Disa vëzhgues e lidhin tensionin e tanishëm racor në Francë me trazirat e vitit 2005 në lagjet e varfëra të Parisit dhe të disa qyteteve të tjerë.
Nicolas Sarkozy, i cili atëherë ishte ministri i brendshëm, i cilësoi protesuesit si “racaille” ose llum – duke kapërcyer cakun në portretizimin e imigrantëve, shumica e të cilëve ishin nga Afrika veriore dhe perëndimore.
Zonja Murray thotë se Franca kurrë nuk i ka integruar komunitetet e saj të mëdha të imigrantëve.

“Ajo që e dallon Francën nga Mbretëria e Bashkuar ose Shtetet e Bashkuara dhe vende të ngjashëm, është se Franca nuk është multikulturore. Francezët e mohojnë praninë e ndryshimeve edhe kur ato ekzistojnë.  Dhe për shkak të këtij fakti, ata nuk kanë ligje të qarta në lidhje me racat. Ata as që e pranojnë racën në të dhënat e censusit.”

Autorja Priscilla Lalisse-Jespersen, një amerikane e cila jeton në Paris me burrin e saj francez, ia atribuon rritjen e racizmit problemeve ekonomike të Francës. Ajo foli për Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it:

“Papunësia është në rritje. Numri i njerëzve që miratojnë punën e presidentit ka rënë në mënyrë të vazhdueshme. Ai tani është presidenti më i papëlqyer në historinë  franceze. Franca i druhet gjithashtu globalizimit, dhe po përjetojnë një krizë kombëtare identiteti.” 
  
Presidenti Francois Hollande ka folur ashpër kundër sulmeve ndaj ministres Taubira. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se reagimi i tij ishte i dobët – dhe ata paralajmërojnë se tabuja mbi shfaqjen publike të racizmit po zhduket.