Shtyhet të martën interpelanca me Ramën

51

kuvendi-i-shqiperise1Kuvendi ka shtyrë për të martën zhvillimin e seancës plenare e cila u anulua për shkak të aksidentit tragjik ku humbi jetën deputeti Sokol Olldashi. “Seanca plenare do të ketë të njëjtin rend dite të parashikuar për seancën e datës 21 Nëntor, që u shty për shkak të aksidentit tragjik, ku humbi jetën deputeti Sokol Olldashi. Përpara fillimit të punimeve të seancës, në orën 10:30 në mjediset e  Sallës së Seancave Plenare do të zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Në këtë seancë pritet që kryeministri Edi Rama të japë sqarime në një interpelancë të kërkuar nga grupi parlamentar demokrat për emërimin në Policinë e Shtetit të Artan Didit. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi në fund të tetorit interpelancë me Kryeministrin Edi Rama lidhur me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Një tjetër projektvendim i rëndësishëm  që do të miratojë Kuvendi pritet që të jetë edhe kontrolli i veprimtarisë financiare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka dhjetë vjet që nuk është kryer.

Ky fakt mësohet se ka gjetur mirëkuptimin edhe të këtij institucioni, pas refuzimit nga Kuvendi në kohën që drejtohej nga ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli. “Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, ka kërkuar auditimin e llogarive të KLSH-së (të cilat për fat të keq kanë 10 vjet që nuk kontrollohen), nëpërmjet komunikimeve zyrtare me zj. Jozefina Topalli, ish-Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, me shkresën nr.208 prot,datë 02/02/2012; z. Edmond Spaho, ish-Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, me shkresën nr.208/1 prot,datë 03/02/2012; z.Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, z. Erion Braçe, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave,  z.Fatmir Xhafa, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, me shkresën nr.928 prot,datë 11/11/2013.   Kryerja e auditimit të jashtëm të pavarur ne Institucionet Supreme të Auditimit (SAI), sikurse është KLSH, cilësohet si e domosdoshme edhe në standardet ndërkombëtare’, sqaron zyrtarisht KLSH.  Gjithashtu, pritet që të miratohet edhe projektvendimi I ri I Kuvendit për mënyrën e trajtimit të deputetëve.