Shqipëria ka dështuar në mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik

53

VIETNAM_(F)_1110_-_Traffico_bambiniNë  një deklaratë, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, kërkon të shpreh revoltën e saj për dështimin e Shtetit Shqiptar për të eleminuar punën dhe shfrytëzimin ekonomik të fëmijëve që prej vitit 2001 e deri më sot.

“Studimi Kombëtar mbi Punën e Fëmijëve në Shqipëri vlerëson se 57,000 femijë ose 8,2 % e fëmijëve të moshës 5-17 vjeçare punojnë. Shkalla e punësimit të fëmijëve është vlerësuar të jetë 7,7%, ku djemtë priren të kenë një shkallë më të lartë punësimi sesa vajzat, duke punuar mesatarisht 18,7 orë në javë. Studimi tregoi se 40,9% e fëmijëve angazhohen në shërbime të papaguara dhe punë familjare. Kjo përqindje rritet me moshë, duke arritur 68,8 për qind të fëmijët e moshave 15-17 vjeç. Fëmijët harxhojnë mesatarisht 7.2 orë në javë të angazhuar në shërbime të papaguara familjare” thuhet në deklaratë.

Kërkesat e CRCA-së për qeverinë shqiptare

CRCA Shqipëri, në Ditën Ndërkombëtare kundër Punës së Fëmijëve, i drejtohet me këtë deklarate publike Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Punës, duke i kërkuar sa më poshtë:

1. Përgatitjen e Planit Kombëtar për Eleminimin e Punës së Fëmijëve, një detyrim ky i shtetit shqiptar që prej vitit 2001;

2. Ushqim falas për çdo femijë që ndjek kopshtin dhe shkollën dhe ndodhet në kushte të vështira ekonomike dhe jeton në varferi;

3. Të ratifikojnë Konventën Nr. 189 të ILO-s në lidhje me Punëtorët në Familje, një instrument i ri ndërkombëtar që kërkon ndalimin e punës ë fëmijëve në familje;

4. Zbatimin rigoroz të ndryshimeve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë specifike Nenit 124, paragrafi C, ku tashmë dënohen të gjitha format e shfrytëzimit të fëmijëve si ‘Detyrimi, shfrytëzimi, shtytja ose përdorimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe/ose fizik, apo arsimimin e tij’.

CRCA në Shqipëri është një organizatë me një histori të gjatë në luftën për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave themelore të fëmijëve. Që nga viti 1997 ajo punon dhe avokon për të mbrojtur dhe  avancuar të drejtat e fëmijëve në Shqipëri, si dhe për t’i garantuar çdo fëmije të drejtën që të dëgjohet dhe mendimet e tij të merren në konsideratë.