Shoferët e furgonëve protestojnë para Parlamentit

53

shoferetShoferët e furgonëve 8+1 kanë zhvilluar edhe ditën e sotme një tjetër protestë përpara Parlamentit, kundër vendimit të qeverisë. Ndryshe nga herët e tjera, shoferët e furgonëve kanë mbajtur në duar karafilë të bardhë, për të treguar se po protestojnë në mënyrë paqësore.

Kreu i Bashkimit të Sindikatave, Gëzim Kalaja ka kërkuar nga deputetët që i kanë votuar të ishin të pranishëm dhe t’i takonin. Gjithashtu Kalaja ka kërkuar edhe një takim me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, që t’ia plotësojnë një nga kërkesat e protestuesve, ndryshimin e ligjit të vitit ‘98 për taksitë.

“Sot jemi në një protestë paqësore para Parlamentit, deputetët që kemi votuar janë trembur, mbyllën seancën. Edhe pse nuk ka seancë, deputetët duhet të ishin të pranishëm në Parlament për t’u takuar me protestuesit. Ne kërkojmë që qeveria të heqë dorë nga vendimi për furgonat 8+1, kërkojmë dialog për të gjetur një zgjidhje”, tha Kalaja.

Të prekur nga vendimi që rruga e kthimit të jetë pa pasagjerë për furgonët 8+1 janë rreth 20.000 persona, drejtues të këtyre mjeteve. Për disa ditë me radhë furgonët kanë protestuar në qytetet më të mëdha të vendit, madje duke bllokuar edhe rrugët nacionale. Kjo është protesta e dytë që bëhet nga drejtuesit e këtyre automjeteve në kryeqytet, protestë e cila përkon edhe me vizitën e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, në Tiranë.