SHBA, protestë kundër përgjimeve në masë

47
foto Reuters / Jonathan Ernst
foto Reuters / Jonathan Ernst

Spiunimi në masë që Amerika po i bën qytetarëve, ka angazhuar mijëra prej tyre për të protestuar kundër këtij aktiviteti të paligjshëm, që cenon rëndë të drejtat themelore  të njeriut.

‘Ndaloni spiunimin në masë’, ‘Fikeni Big Brother-in’ kanë qenë parullat e qytetarëve amerikanë të cilët janë grumbulluar në protestë të shtunën në Uashington për të kërkuar një ligj të ri që të reformojë programet e survejimit në masë të NSA, të cilësuara si kërcënim për jetën private.

Protestuesit kishin shkruar gjithashtu parulla ku citonin shprehjen e famshme të Obamës ‘Yes we can’ ( po ne mundemi) duke e transformuar atë ne përshtatje të aktualitetit në ‘Yes we scan’ (po, ne skanojmë).

Protesta u zhvillua para Kongresit Amerikan, ku rreth 4.500 persona kanë kërkuar t’i jepet fund mashtrimeve dhe të ndalohet spiunimi në masë. Një peticion i firmosur në internet me firmat e 575 mijë personave, i kërkon kongresmenëve dhënien fund të spiunimit në masë.

Presidenti Barack Obama përballë këtij skandali ka lajmëruar në gusht një seri masash për të krijuar më shumë transparencë në programet e survejimit, kryesisht mbledhjen e të dhënave telefonike. Por, ajo që kërkohet nga qytetarët në protestë, është kalimi në veprime konkrete në projektligje dhe ligje që të frenojnë dhe të kontrollojnë këtë fenomen.

Shumë protestues kanë mbajtur pankarta në duar ku falënderonin Edward Snowden , ish këshilltarin e NSA për bërjen publike të këtyre të dhënave.