Fyle: Janë shtuar shanset e Shqipërisë drejt BE-së

52

StefanFuleBashkimi Europian beson se Shqipëria i ka shtuar shanset e saj për të fituar statusin e vendit kandidat. Sipas BE-së, përmirësimi i sjelljes demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit dhe tranzicioni paqësor i pushtetit afruan Shqipërinë me statusin e vendit kandidat.

Një gjë të tillë e bën të ditur Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, në një shkrim autorial së bashku me ministrin e Jashtëm të Lituanisë, Linas Linkevièius, me titull “Ballkani Perëndimor dhe Turqia, mundësi të reja për zgjerim të BE-së”, transmeton Gazeta Shqiptare.

“Shqipëria ka treguar një përmirësim të sjelljes demokratike në zgjedhjet e fundit dhe ka siguruar një tranzicion paqësor të pushtetit, duke i rritur gjasat e saj për të fituar statusin e kandidatit” – theksojnë Fyle dhe Linkevièius, kryediplomati i Lituanisë, vend që mban Presidencën e radhës të BE-së. Por theksohet se progresi është i mundshëm aty ku ka vullnet politik për t’u fokusuar në reforma dhe aty ku axhenda e BE-së konsiderohet një prioritet kombëtar. Dialogun Kosovë-Serbi, dy autorët e këtij shkrimi e sjellin si shembullin më të mirë e më të qëlluar të fuqisë transformuese të procesit të pranimit të BE-së dhe sinjal të qartë të asaj se edhe vendimet më të vështira mund të merren nëse ka motivim dhe gatishmëri politike.

Duke u ndalur te Mali i Zi, theksohet se procesi i negociatave ka arritur në një moment të ri dhe dy kapitujt e rëndësishëm të negocimit në procesin e pranimit mund të hapen në muajt e ardhshëm. Fyle dhe Linkevièius shtojnë se “ne jemi duke bërë përpjekje po ashtu që të zhvillojmë negociatat për pranim me Turqinë sipas planit”. Por Fule e Linkevièius pranojnë se lodhja e shteteve aspirante në këtë proces përbën një farë kërcënimi. Por mesazhi është i qartë: Mundësitë për të lëvizur vendosmërisht drejt shtegut të integrimit europian janë shumë të qarta dhe të hapura. Është në duart e këtyre vendeve që këto mundësi t’i bëjnë realitet për të mirën e qytetarëve të tyre, ashtu siç e bëri Kroacia”.

Dy ditë më parë, relatori për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Nikola Vuljaniq, paraqiti gjatë mbledhjes në Strasburg, një rezolutë në të cilin i bëhet thirrje Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.