Sfida e statusit për Shqipërinë

66

vuljanicArta Tozaj /Top Channel

Me gjithë rezolutën e Parlamentit Europian dhe mbështetjen e eurodeputetëve, çështja e statusit nuk është e përfunduar. Eurodeputetët mendojnë se do të duhet punë për të bindur vendet anëtare të aprovojnë. 

Duke iu referuar luftës kundër korrupsionit raportuesi për Shqipërinë Nikola Vuljaniç iu referua denoncimit të ‘Fiks Fare’ për korrupsionin në drejtësi duke thënë se shpresoj që kjo video të pasohet nga arrestime.

Kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE, Eduart Kukan:  Unë nuk do të thoja me aq lehtësi se vendet anëtare do pajtohen me rezolutën, për shkak të përvojës. Komisioni rekomandoi e Parlamenti mbështeti 5 vjet radhazi Maqedoninë, e Këshilli gjithnjë vendosi ndryshe. Por, mendoj se rezoluta që do të miratohet do të luajë një rol të rëndësishëm për Këshillin, përpara marrjes së vendimit në dhjetor. Thjesht, ata nuk mund ta injorojnë atë.

Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein
: Kjo nuk mbaron veç me këtë rezolutë. Për shembull, në rastin tim, më duhet të shkoj në Berlin. Jo vetëm unë, por dhe disa kolegë të partive të tjera. Shkojmë për të bindur, nëse nevojitet, qeverinë gjermane. Pra, ne do votojmë këtë rezolutë e do të bëjmë maksimumin me qeveritë në shtëpitë tona për të pasur një rezultat të mirë në Dhjetor.

Top Channel: Siç thuhet në raportin tuaj dhe atë të Komisionit, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria për krimet janë të gjithëpërhapura dhe mbetet problem serioz korrupsioni në gjyqësor. A jeni në dijeni të videos së transmetuar nga ‘Fiks Fare’?

Raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljaniç: E pashe videon dhe lexova lajmin, e mendoj se kjo është rruga e duhur për të vepruar mbi këto gjëra. Një ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm u filmua ndërsa kërkonte rryshfet, apo diçka e ngjashme, për të liruar disa njerëz, jashtë burgut, dhe ai u hoq nga detyra brenda disa minutave. Kështu thuhet në artikullin që lexova, pak minuta pas transmetimit.

Top Channel: Dhe një hetim vijon për gjyqëtarë të përfshirë …

Raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljanic
: Shpresoj vërtet që të arrestohen. Kjo nuk thuhet në artikull. Kryesorja  është që të shihet se ka një prirje, një vullnet. Një tjetër pikë  kyçe është  klikimi mendor në kokën e popullit në përgjithësi, i cili duhet të thotë se korrupsioni është i keq. E njoh mentalitetin e Ballkanit. Korrupsioni është mënyra për të gjetur rrugën tënde në shoqëri. Për të çarë e për të arritur sukses në jetë, përmes korrupsionit. Tani, ky klikim i mentalitetit se kjo gjë është e keqe, është një çështje vendimtare. Kjo është pika për të arrestuar një ministër, një Prokuror të Përgjithshëm, një Kryeministër.Pozicioni i medias në Shqipëri është vërtet për të qeshur. Pashë televizionin çdo natë kur isha atje, edhe pse nuk e kuptoj gjuhën. Thjesht për të parë se si funksionon. Ka shumë transmetues privat të pavarur, që më dukeshin plotësisht profesional, si Top Channel e të tjerë. Nga ana tjetër ka një televizion publik të varfër, çfarë është e gabuar. Vendi duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mediave publike sepse ato janë burimi kryesor e parësor i informimit për qytetarët.

Top Channel:  Zoti Kukan, nuk pati amendament nga ju kësaj radhe për 21 Janarin. 4 veta u vranë, siç e dini në protestën e dy viteve më parë. Pati gjykim, por asnjë fajtor për humbjen e jetëve, njësoj si në rastin e shpërthimit të 2009 në Gërdec. Supozoj se mbetët i kënaqur nga gjykimi?

Kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE, Eduart Kukan:  Jo, jo. Nuk jam i kënaqur me gjykimin. Mbaj të njëjtin qëndrim mbi këtë çështje dhe siç e kam thënë më parë, derisa kjo çështje të hetohet në mënyrën e duhur dhe objektive, dhe që të merren me ata që rezultojnë përgjegjës për këtë, deri atëherë në skenën politike shqipëtare do të ketë një mungesë e nuk do të mund të thuhet se gjithçka shkon mirë. Pse nuk e futa këtë amendament, nuk e di, por mbaj të njëjtin pozicion dhe do jua dëshmoj juve duke insistuar në të ardhmen për këtë.