Sequi me Metën: Mazhoranca dhe opozita luajtën rol të rëndësishëm

46

kryetari_i_kuvendit_të_shqipërisë__z._ilir_meta_priti_sot_në_një_takim_ambasadorin_e_be-së_ettore_sequi_1Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, i cili i dorëzoi progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2013.

Kryetari i Kuvendit e cilësoi këtë moment si një inkurajim pozitiv i cili, theksoi ai, nuk mund të quhet një proces i përfunduar, por një moment i ri, inkurajues, nxitës për klasën politike  dhe Parlamentin, ku çdo ditë mazhoranca dhe opozita takohen dhe ndajnë përgjegjësitë e përbashkëta për mbarëvajtjen e punëve të vendit.

Kryetari i Kuvendit shprehu angazhimin e tij por edhe të Parlamentit për ta shndërruar këtë raport progres në një program të rëndësishëm pune ku palët në një proces gjithëpërfshirës të adresojnë çështjet e mprehta ku kërkohet progres i mëtejshëm nga Komisioni Europian.

Nga ana tjetër Sequi shprehu bindjen se Parlamenti do të luajë një rol thelbësor dhe do të jetë një  aktor shumë i rëndësishëm dhe për reformat e ardhshme të vendit.

“Shprehet qartë se sa qendror dhe thelbësor është pikërisht ky institucion, pra, Parlamenti në ecurinë e Shqipërisë, në jetën demokratike të vendit, në progresin e mëtejshëm” u shpreh, Sequi. Ai theksoi se, rezultati i arritur sot dhe që pritet të konfirmohet edhe nga Këshilli i Ministrave të BE-së në dhjetor kërkon përpjekje, angazhim, përkushtim dhe kontributin e të gjithë aktorëve politik në vend.