Sekretarët e AK i bashkohen koalicionit opozitar

58

Në një Konferencë për shtyp, në krah të ish sekretarëve të larguar të Aleancës Kuq e Zi, lideri opozitar Rama, deklaroi edhe njëherë se Aleanca Kuq e Zi, është e dizenjuar për tendenca diversive për të përçarë popullin opozitar. Rama deklaroi se, dyert e Aleancës janë të hapura për të gjithë ato, që dëshirojnë ti bashkohen koalicionit opozitar dhe se energjia për të ndryshuar Shqipërinë ndodhet në këtë koalicion.

“Kam mirëpritur përfaqësinë e Aleancës Kuq e Zi, njerëzit që kanë marrë pjesë në forcimin e një partie që fatkeqësisht u shfaq së fundmi në rolin e një forcë për diversion për të çoroditur popullin shqiptar, në funksion të pushtetit familjar dhe të korruptuar të kryeministrit,” tha Rama.

“Publikisht dua t’u them atë që u thashë dhe miqësisht në bashkëbisedimin tonë se dyert e PS janë të hapura për të gjithë kuqezinjtë idealistë, për të gjithë kuqezinjtë opozitarë, për të gjithë ata që janë investuar në këtë projekt politik me çiltërsinë e qytetarëve të këtij vendi, të lodhur nga politika, të zhgënjyer nga këto vite tranzicioni të stërzgjatur, të paintegruar në forcat politike aktuale, në mënyrë që e gjithë ajo energji patriotike, e gjithë ajo energji e gjeneruar nga ideale dhe ide për një Shqipëri më të mirë, e gjithë ajo energji e derdhu në dy vite për të sjellë në Shqipëri ndryshimin, të mos shkojë dëm, por të kanalizohet përmes këtij koalicioni të madh të opozitës, përmes PS, duke qenë të gjithë të bindur se PS është një forcë që në programin e vet, në rrugën e vet, në bindjet e veta, përfaqëson interesat kombëtare, përfaqëson aspiratat e kombit shqiptar, ambiciet e çdo shqiptari për çka përbënte arsyen madhore të kuqezinjve për t’iu atashuar Aleancës Kuq e Zi,” deklaroi kryetari i PS.

Në këtë Konferencë mori fjalën gjithashtu edhe një nga ish Sekretarët e AK, i cili ndodhej në krah të Rames, duke deklaruar se vendimi i Spahiut për të dalë i vetëm në zgjedhje është një vendim, vetëm i tij. Sot, vijoi Uruçi, AK ka në krye një lider që e ka monopolizuar aktivitetin politik të partisë. Ai përfundoi duke deklaruar se lidhjet tona më anëtarët e kryesisë janë të fuqishme dhe ne jemi koshientë se Shqipëria ka nevojë për rotacion. Uruçi konfirmoi edhe njëherë se përkrahja e tyre shkon me opozitën, sepse shqiptarët kanë nevojë për ndryshim.