Samaras në Selanik: Greqia një histori suksesi

55

thessalonikiQyteti i Selanikut në Greqi është blinduar me rastin e çeljes së Panairit të 78 Ndërkombëtar, që është bërë tashmë traditë në këtë qytet.

Për ruajtjen e sigurisë ndodhen në Selanik rreth 4 500 forca policie, shumica të ardhura nga Athina, forca speciale, por dhe helikopterë, që do monitorojnë nga ajri protestat e paralajmëruara.

Panairi u përurua paraditen e sotme nga Kryeministri grek Antonis Samaras, i cili në fjalën e tij e quajti Greqinë një “histori suksesi”. Ai pohoi se ky është një vit i vështirë, por siguroi se nuk do të ketë masa të reja që njerëzit nuk i përballojnë dot, duke premtuar se vitin tjetër barra e taksave do lehtësohet.

Samaras tha se “Greqia i ka përmbushur angazhimet e saj dhe tani është koha që huadhënësit të mbajnë angazhimet e tyre”. Kryeministri grek kërkoi nga njerëzit të kuptojnë ku ishte dje dhe ku është sot Greqia, të cilën e vlerësoi si “oaz i stabilitetit në Ballkan”. Lidhur me gazsjellësin TAP ai u shpreh optimist, se nga ndërtimi i tij do të hapen 10 000 vende pune.

Në fjalën e tij sulmoi ashpër SYRIZA-n dhe Agimin e Artë, duke vënë paralele mes tyre. “Çfarë mund të thuash për neonazistët, të cilët admirojnë tiranët më të këqinj që ka njohur ndonjëherë ky vend? Prania e tyre vetëm e dobëson vendin. SYRIZA dhe Agimi i Artë janë dy skajet që ndajnë Greqinë; nuk votojnë asnjë reformë dhe mbeten të kapur në të kaluarën, por asnjë prej tyre nuk do të qeverisë. Vendi ka kthyer një faqe të re”, deklaroi Samaras.

Ndërkaq para ardhjes në Athinë të të dërguarit të OKB, Methju Nimiç, kryeministri grek paralajmëroi se “nuk do negociohet identiteti historik i Maqedonisë”.

Krahas kryeministrit, në Selanik është edhe kryetari i SYRIZA-s, i cili do të jetë në krye të protestave që pritet të zhvillohen. Pasdite, Tsipras do të vizitojë godinën e ET3, ku do të japë intervistë për programin që përgatisin punonjësit e pushuar nga puna.

Nesër Panairin e Selanikut do ta vizitojë kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, ndërsa gjatë javës do të jenë aty gjithë krerët e partive politike greke.