Rokanas: Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat

53
Ambasadori i Greqise, Leonidas Rokanas
Ambasadori i Greqise, Leonidas Rokanas

Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas, vendi i të cilit kryeson  presidencën e Bashkimit Europian, deklaroi të hënën se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. Gjatë punimeve të tryezës me temë “Perspektiva Europiane e Shqipërisë”, e organizuar në mjediset e shkollës së Administratës Publike, ambasadori grek vlerësoi hapat e bërë nga vendi ynë në procesin integrues.

“Greqia mbështet integrimin e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. BE është e përkushtuar për integrimin e Shqipërisë dhe iu ka lënë detyrat e shtëpisë për t’iu ndihmuar të ecni përpara. Kushtet e vendosura Shqipërisë nuk janë kushte të mirëfillta, por janë detyra të vendosura nga BE. Në këndvështrimin tonë, Shqipëria po i bën detyrat dhe Greqia që vitin e kaluar deklaroi se vendit duhet t’i jepej statusi. Por, janë dhe vendet e tjera ato që vendosin. Ju e meritoni statusin e kandidatit. Shpresojmë që në qershor Shqipërisë t’i jepet ky status dhe të vijojë më tej me hapjen e negociatave me BE-në”, deklaroi Rokanas. “Administrata, shtoi ai, duhet të jetë e përgatitur për procesin e hapjes së negociatave me BE-në”.
I të njëjtit mendim ishte dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, sipas të cilit, Shqipëria i ka bërë ato që i janë kërkuar, jo vetëm në lidhje me zgjedhjet.
“Dua t’iu them se ju mbështesim, por duam dhe angazhimin tuaj për të përshtatur atë që kërkohet nga BE, në mënyrë që të integroheni në këtë organizatë. Mbështes ministren Harito sa i takon administrimit publik në lidhje me BE-në. Bashkëpunimi është elementi i suksesit i sistemit të BE-së, një sistem që është gjithmonë e më kompleks , më i vështirë e i ndërlidhur”, tha ambasadori italian.
Për këtë qëllim, vijoi ai, duhet bashkëpunim i të gjithëve së bashku dhe jo në mënyrë të veçantë, pasi kështu do të ishte e pamundur të shikosh atë se çfarë po bën Europa. “Duhet të shikoni idetë që vijnë nga KiE dhe ku po shkon Europa në vitet që vijnë, pasi sistemi është shumë i gjatë, duke e nisur nga një ide për ta parë në zhvillim e sipër gjatë gjithë viteve. Sa i takon presidencës së re të BE-së, do të përpiqemi të kemi një transformin sa më të mirë. Po ashtu, dhe Parlamenti Europian do të jetë i ri, me të gjitha përgjegjësitë e reja dhe të mos kemi një parlament jo miqësor, pra gjithçka do të kërkohet që të jetë e re, me metoda të reja dhe me një sistem të ri”, theksoi ndër të tjera ambasadori italian, Gaiani.