Riformatimi i SHISH-it, Basha: Qeveria, presion institucioneve të pavarura

50

bashaKreu i PD-së Lulzim Basha e ka cilësuar riformatimin  e Shërbimit Informativ Shtetëror si një presionin që qeveria i bën institucioneve të pavarura.

Basha vlerësoi edhe deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me cënimin sipas tij të institucioneve të pavarura në Shqipëri.

“DASH shprehu një shqetësim që është shqetësim qytetar, shoqëror dhe një shqetësim i opozitës dhe ky është shqetësimi për kursin antidemokratik të qeverisë për shkeljen e parimeve të shtetit ligjor, të goditjeve të institucioneve të pavarura për hir të revanshit politik.Nga ana tjetër jam i lumtur që DASH vlerëson kursin e opozitës si një mbështetëse e integrimit europian të vendit dhe dua të theksoj që opozita shqiptare do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e të gjitha hapave dhe masave që çojnë drejt integrimit europian të Shqipërisë. Thënë kjo dhe shtuar këtu edhe deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit Kerry në konferencën e sigurisë në Mynih vetëm dy ditë më parë nuk mund të mos ndalem tek shqetësimi i shprehur nga kreu i diplomacisë amerikane për atë që e cilësoi si një trend të kapjes së institucioneve, të blerjes së pushtetit dhe të vënies së mediave nën kontroll përmes mjeteve financiare është një alarm që qeveria amerikane ka ngritur tashmë për Ballkanin në tërësi por pa dyshim Shqipëria dhe realiteti shqiptar janë pjesë e këtij shqetësimi” tha Basha.

Basha u shpreh gjithashtu se opozita është e gatshme të bashkëpunojë me mazhorancën për integrimin e vendit nëse kjo e fundit shpreh vullnet të vërtetë.

“Deklaratat e Kerry-t janë pjesë e një shqetësimi që opozita po ngre me forcë prej kohësh, që ka të bëjë me shitblerjen e votës, ka të bëjë me tjetërsimin e institucioneve në kundërshim me ligjin. Ka të bëjë me presionet ndaj gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura dhe të gjitha këto padyshim nuk janë hapa që ndihmojnë kursin europian të Shqipërisë, nuk janë hapa që ndihmojnë integrimin dhe standartet që duhet të arrijë Shqipëria për integrimin sikundër janë shkaku i vërtetë përtej shfajësimeve dhe alibive për skepticizmin në rritje, skepticizëm që mund të luftohet vetëm nëse mazhoranca që është edhe përgjegjësja kryesore për situatën ka vullnet të vërtetë për të bashkëpunuar me opozitën e cila nga ana e saj e ka bërë të qartë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra përkushtimin e saj pa ksuhte për integrimin europian të vendit” shtoi më tej Basha.

Deklarata e Lulzim Bashës u bë pas inspektimeve të punimeve në shkollën “Ahmet Gashi” në Laprakë.