Rexhep Qosja: Fatos Lubonja mbështetet te miqtë e Serbisë

58

rexhep-qosjaProfesor Rexhep Qosja i përgjigjet Fatos Lubonjës, pas akuzave që ky i fundit kishte bërë për Ramush Haradinajn dhe udhëheqësit e UÇK-së në tërësi. Akademiku Qose thekson se Haradinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe se këtë fakt publicisti Lubonja nuk mund ta harrojë.

Nderoj pakufizueshëm të drejtën e çdokujt për shprehje të lirë, pakufizueshëm të lirë, të mendimit. Në qoftë se nuk pajtohemi me mendimin e dikujt, ndërkaq, ne duhet ta kundërshtojmë me mendimin tonë, por jo ta dënojmë politikisht dhe moralisht siç u bë ndaj deklaratave të Fatos Lubonjës për, si thatë ju, drejtues politikë nga radhët e UÇK-së në Kosovë.
 
Në gjykimet gojore dhe të shkruara politike dhe historike të Fatos Lubonjës, të cilin e perceptoj si një intelektual modern, shoh një të mirë të veçantë, që aq qartë nuk e gjejmë të shprehur pothuaj te asnjë publicist a studiues i yni tjetër e që është: demitizimi i historisë dhe i politikës. Mitologjizimin politik dhe historik e shikoj si një mënyrë të pushtimit shpirtëror e kjo do të thotë edhe të ndorimit (manipulimit) të njerëzve. Kjo prirje për demitizim të politikës dhe të historisë po e ballafaqon Fatos Lubonjën më së shpeshti me disa demagogë e me disa atdhetarë të mëhallës. Por, në prirjen demitizuese të Fatos Lubonjës kur e kur shoh një gabim: mbështetjen, kur më të paktë e kur më të madhe, në gjykimet e të huajve, para së gjithash të disa studiuesve e publicistëve evropianë-francezë, gjermanë, grekë, italianë a të tjerë, që në të vërtetë janë miq të hapët a të fshehtë të Serbisë. Kjo u pa sidomos në deklaratën e Fatos Lubonjës për Ramush Haradinajn dhe UÇK-në. Me atë rast Fatos Lubonja harroi çka nuk do të duhej të harronte as si shqiptar e as si studiues dhe publicist: harroi se Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm prej Gjykatës.

Ndërkombëtare të Hagës, fjala e së cilës është në të gjitha pikëpamjet më e drejtë, më e pranueshme, më vendimtare, se mendimet e të gjithë miqve evropianë të Serbisë, pavarësisht çfarë pozite a shkalle shkencore mund të kenë. Me atë rast Fatos Lubonja harroi se Ramush Haradinaj dhe gjithë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë luftë çlirimtare, kanë mbrojtur familjet e veta, shtëpitë e veta, tokën e vet, atdheun e vet – Kosovën, popullin e vet prej një pushtuesi, i cili, pas një dhune e terrori shumëvjeçar ndaj shqiptarëve, deshi ta pastronte Kosovën prej tyre dhe deshi ta pastronte duke përdorur mjetet shfarosëse që prej institucioneve juridike ndërkombëtare janë shpallur të palejueshme, dome-thënë të dënueshme. Siç dihet çlirimtarët mbrojnë qenien e popullit të vet prej pushtuesit, prandaj lufta e tyre kurrë gjatë historisë nuk është zhvlerësuar dhe nuk është ndëshkuar. Ajo është luftë e drejtë, e arsyeshme, e moralshme”, thotë Qosja për GSH.