Raporti: Mafia shqiptare sundon në Itali

65

mafiaMafia shqiptare ka fituar një rol drejtues në tregun e narkotikëve në Itali. Ky është përfundimi i raportit të Drejtorisë Kombëtare të Antimafias të shtetit fqinj.

Raporti është përpiluar duke marrë shkas nga hetimet që janë bërë ndaj mafies në vitet e fundit në shtetin italian.  Raporti mbulon periudhën nga 1 korriku i vitit 2011 deri më 30 qershor të vitit 2012. Sipas këtij raporti, krimi dhe mafia shqiptare ka përparuar së tepërmi në Itali.

Nga shpërndarës droge, shqiptarët tani po operojnë në fushën e furnizimit. Raporti i vitit 2012 i Shërbimeve Qendrorë të Drogës (SHQD), një strukturë e Ministrisë së Brendshme, e portretizon situatën në shifra.

Vitin e shkuar, 443 qytetarë shqiptarë u dënuan për krime që lidhen me trafikun e drogës, një rritje me 92 % krahasuar me vitin 2011 dhe 41 % e totalit të të gjithë të huajve të dënuar.

Kjo shifër është edhe më e madhe kur bie fjala për trafikun e heroinës. Kjo nënkupton një rrjet të organizuar kriminal, me strategji dhe strukturë të qartë.

Pavarësisht një preference tradicionale për të trafikuar heroinën përmes Rrugës së Ballkanit (Afganistan- Turqi- Ballkan- Europë Perëndimore), prezenca shqiptare është qartësisht në rritje edhe në tregun e kokainës.

Sipas të dhënave të SHQD, në 1229 nga 4783 raste ku përfshihen të huajt, angazhohen shqiptarët.

Megjithatë, në fotografinë e krimit shqiptar në Itali mungojnë disa pjesë. Së pari, askush nuk e di sa është xhiroja e këtij biznesi. E dyta, cilët janë klanet? Ku i kanë rrënjët?

Megjithatë, mungesa e informacionit për klanet dhe xhiron e tyre është një tregues se policia e ka gjithmonë e më të vështirë që të gjurmojë grupet kriminale shqiptare.

“Hetuesit tani duhet të shkojnë në fund të zhvillimeve, në nivelin organizator. Kriminelët shqiptarë vinin në Itali dhe tregtonin në rrugë. Kjo i ekspozonte.

Ata që arritën të bëjnë para, shkuan në Shqipëri dhe tani, prej atje, menaxhojnë trafikun në vendin tonë përmes emisarëve të tyre. Këtu janë thjesht peshqit e vegjël.

Dhoma e kontrollit është në Tiranë dhe në rrethina,” thotë Enzo Ciconte, profesor universiteti dhe historian, autor i librit “Mafia e huaj në Itali: Historia dhe evolucioni”.