Rama: simbolika e ngjyrës ‘mavi’ dhe historia e dy breshkave të pagëzuara me emrin Sali dhe Fatos

55

rama fjalimi i fitoresKryeministri që pritet të marrë detyrën Edi Rama ka rrëfyer për gazetarin Baton Haxhiu në ’Klan Kosova’, se kjo fitore ishte një revolucionin i heshtur me votë e shqiptarëve. Ai ka rrëfyer dhe historinë e dy breshkave, që mban në zyrën e tij dhe simbolikën e ngjyrës ’mavi’.

T’ju them të drejtën, ne ishim përgatitur për të fituar, por edhe ne jemi të befasuar pozitivisht nga ky revolucion i heshtur me votë e shqiptarëve. Mbresa më e fortë vjen nga harta e Shqipërisë, e cila është e gjitha e purpurt nga veriu deri në jug, si një shprehje e qartë vullneti që shqiptarët nuk duan të vazhdojnë me politikën e dasive të vjetra, as me dasinë e vjetër të së shkuarës komuniste dhe as me dasinë e më të vjetërve, që e kanë ushqyer shumë armiqtë e Shqipërisë, veri-jug”, ka deklarar Rama.

Në lidhje me dy breshkat që ai mban në zyrën e tij ai ka ofruar një metaforë që merr shkas nga realiteti:

“Breshkat do vijnë me mua në zyrën tjetër, patjetër. Historia e tyre është shumë e thjeshtë. Një miku im artist, kishte qenë në Senegal, shumë vite më përpara dhe më tregoi që njerëzit që kanë probleme me astmën, dhe unë kam pasur probleme me astmën, është mirë që të mbajnë breshka në vendin ku rrinë. Një natë duke u kthyer nga Elbasani, pashë nën dritat e makinës një breshkë që po kalonte rrugën. I thashë shoferit “ndalo dhe merre” dhe e morëm breshkën. Pastaj e morëm edhe një tjetër. Të dyja, sepse nuk mund të kishim Fatosin pa Saliun dhe kështu u pagëzuan dhe pastaj më shoqëruan në udhëtimin tim dhe janë këtu me mua”, – tha ai.

Ngjyra e purpurt, e cila në fjalorin e Kryeministrit në ikje Berisha, u shndërrua në ngjyrë mavi, Rama shpjegon se ka thjesht një simbolikë, dhënia fund e ndasive veri-jug nëpërmjet bashkimit të ngjyrave blu dhe të kuqe.

Ngjyra e purpurt është në fakt ngjyra që bashkon të kuqen dhe blunë dhe ne sot kemi një koalicion, që shkon nga e purpurta tek e kuqja, por njëkohësisht që ka detyrë madhore që i bashkoi shqiptarët përmes një rrugë të re komunikimi me ta dhe përmes një mënyre të re shërbimi ndaj tyre, pa i ndarë në ne dhe ata, pa i ndarë në ata të veriut dhe këta të jugut, duke çuar përpara atë mision që shqiptarët na ngarkuan me votën e tyre për t’u dhënë fund dasive dhe dhënia fund e dasive është guri i themelit në rrugën që ndan tranzicionin nga Shqipëria evropiane”,- tha lideri i PS-së.