Rama, deklaroi se qeveria ka ndryshuar ligjin aktual të legalizimeve, i cili më pas do të marrë votën e Kuvendit. Thelbi i këtij ndryshimi ka të bëjë me ndryshimin e skemës së procesit të legalizimeve, ku nuk janë qytetarët që do të shkojnë te zyrat e shtetit, por administrata do të shkojë tek qytetarët për të kryer procesin e regjistrimit të banesave informale.
Kryeministri shqiptar deklaroi se procesi i legalizimit për qytetarët që kanë ndërtuar shtëpi banimi do të jetë falas, ndërsa për ata që kanë ndërtuar për objekte biznesi, procesi do të kryhet me faturën përkatëse.
Në takimin që po zhvillohet pritet të shpërndahen edhe një numër dokumentesh të përfundimit të procesit të legalizimit, të cilat më pas do të regjistrojnë pronën në hipotekë, duke e kthyer një ndërtim në kapital real financiar.
Kryeministri, Edi Rama, deklaroi se qeveria do të falë të gjitha pealitetet që i janë vënë qytetarëve në të shkuarën.
Këto ndryshime do t’i kalojnë për miratim përfundimtar parlamentit dhe do të na garantojnë zotimit tonë që ju dhe si ju mbi 200 mijë familje që presin prej vitesh pa fund legalizimin të mund të bëheni pronar legjitim të shtëpive tuaja. Shtëpitë tuaja të kthehen nga kapitale të vdekura, në kapitale të qarkullueshme, që do nxisin ekonominë e familjes suaj.”, theksoi Rama.
Kreu i Ekzekutivit theksoi gjithashtu se “ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe duhet ta kujtoni sepse besoj është me rëndësi që unë personalisht së bashku me Artan Lamen, kemi qenë të parët në Shqipëri që kemi folur për legalizimet, kemi qenë të parët që kemi bërë një plan legalizimesh, kur ishim në fillim të rrugëtimit tonë për të modernizuar Tiranën.”
“Plani ynë, tha Rama, solli një produkt të rëndësishëm, qytetarët i morën informacionin nga njësia bashkiake, por mbetën peng të peshkaqenëve që drejtonin Aluizmin, por sot përfundoi kjo padrejtësi, pasi ne vendosëm t’ju japim mundësi të gjithë shqiptarëve që kanë sakrifikuar shtëpitë e tyre për një jetë më të mirë të realizojnë ëndrrën e tyre”, tha Rama, i cili kujtoi se kanë qenë rreth 160 mijë familje që kanë tetë vjet që sorollaten nëpër tiranë për të legalizuar pronën e tyre.