Rama nga Korça: Mbështetje biznesit fason

61

29-maj-Rama-biznes-fason-300x158Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është pritur nga punëtorë të një biznesi fason në qytetin e Korçës. Kreu i PS i shoqëruar edhe nga deputetët e qarkut si dhe kryetari i bashkisë së Korçës, Niko Peleshi është ndalur në këtë biznes i cili punëson rreth 400 punëtore dhe ku prodhohen kryesisht konfeksione dhe veshje të ndryshme.

“Shumë faleminderit. Është një mikpritje që unë nuk e prisja me thënë të drejtën”-, u ka thënë Rama punëtoreve korçare,  i surprizuar nga pritja që konstatoi.

Kryesocialisti është njohur nga afër me problematikat që ka aktualisht ky biznes, si dhe me nevojën për mbështetje nga ana e shtetit. “Ne duam shumë që ta mbështesim këtë industri, duam shumë t’i mbështesim të gjithë ata që investojnë në këtë industri. E dimë që ka vështirësi, e dimë që kriza edhe në Greqi edhe në Itali ka ndikuar, por po ashtu jemi të bindur që janë mundësitë për t’u dhënë një mbështetje të gjithë atyre që investojnë në këtë biznes në mënyrë që të punësojnë akoma më shumë njerëz dhe nga ana tjetër vendi juaj i punës të jetë i siguruar dhe mos kërcënohet nga shkurtimi”, është shprehur kreu i PS-së. Punëtoret e kësaj sipërmarrjeje nga ana e tyre e kanë përgëzuar Ramën për interesimin që tregon ndaj biznesit fason si dhe i kanë uruar atij fitoren në 23 qershor.