Në fjalën e mbajtur Rama kërkoi votën për t’i dhënë fund, sipas tij, shtetit të angazhuar për pushtetin dhe abuzimeve me gjithë administratën zgjedhore.
“Pas 23 qershorit do të marrin përgjigjen për sjelljen e tyre anti-kushtetuese ndaj të rinjve. Përgjigjen për sjelljen e tyre anti-kushtetuese, sjelljen kriminale të tyre ndaj zgjedhësve të rinj, që më 23 qershor bëhen zgjedhës. Ata do të ndryshojnë Shqipërinë duke ndryshuar përgjithmonë edhe shkollën për Shqipërinë. Kurrë më drejtorë shkollash që bëjne presion mbi mësuesit dhe nxënësit, kurrë më shteti që përdoret për interesat e pushtetit, kurrë më shtet që përdoret kundër opozitës”, tha kreu i socialistëve Edi Rama.
Rama tha se gjirokastritët, tepelenësit dhe përmetarët do të votojnë rilindjen për t’i dhënë fund harresës në këto 8 vite.
“Unë nuk e di se me cfarë kurajoje do të flasë Saliu para popullit të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit? Popullit që jeton në varfëri, i izoluar nga mungesa e rrugës. Por di se cfarë do t’i thotë ky popull Sali Berishës dhe shpurës së tij më 23 qershor duke marrë një vendim historik”, shtoi Rama.
Lista e kandidatëve socialistë në Gjirokastër kryesohet nga Arben Ahmetaj, i ndjekur nga Erion Veliaj, Anastas Angjeli, Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi.