Rama nga Bushati: Do të pajisim gjithë fshatarët me certifikatën e tokës

57

30-maj-Rama-Bushat-300x158Lideri opozitar Edi Rama gjatë takimit elektoral në Bushat të Shkodrës, kërkoi t’i jepte një mesazh shumë të qartë Kryeministrit Berisha dhe Kryetares së Parlamentit Topalli. Rama ka deklaruar se hegjemonia  e territoreve, që kanë mbështetur besnikërisht PD-në, ka marrë fund.

« Në këto territore që deri dje kanë qenë besnikërisht me PD, hegjemonia e tyre ka marrë fund dhe pushteti i tyre do të marrë votën e ndëshkimit për një rrënim të vazhdueshëm, që nuk mund të vazhdojë më. Sepse shqiptarët nuk mundet më të mbajnë në kurriz një pushtet i cili flet gjithë ditën për ta dhe punon gjithë ditën për vete. Një pushtet i cili premton dhe gënjen, premton dhe zhgënjen, premton dhe harron »,-ka deklaruar Rama.

Rama deklaroi nga Bushati se PS ka një program për t’i dhënë mundësi çdokujt që jeton me tokën, që të marrë certifikatën e tokës, që ka 20 vjet që ua mohon Saliu dhe partia e tij familjare. Për të marrë certifikatën e tokës për të qenë zotë në tokën e tyre dhe për të marrë atë mbështetje që iu duhet që kostoja e prodhimi të ulet dhe që puna me tokën të sjellë para dhe mirëqenie.

Lideri socialist ka premtuar nga Bushati se do të hiqet akciza e naftës, taksa e qarkullimit të naftës, do të investohen 160 milionë dollarë për ujin në parcelë.

‘’Do të çojmë ujin në çdo parcelë dhe njëkohësisht do të rindërtojmë sistemin e kullimit që toka të mos përmbytet më. Ruana Zot, u bë 20 vjet që ne jetojmë në vendin e dytë më të pasur të Europës për ujë, pas Norvegjisë, që nuk kemi ujë për të pirë, nuk kemi ujë për të ujitur tokën dhe përmbytemi nga uji sa herë bie një shi i madh. E, kjo miqtë e mi ka vetëm një arsye. Ne nuk kemi shtet ‘’, tha Rama.

Rama nuk ngurroi të sulmojë edhe Kryeministrin Berisha, duke e konsideruar një gjysh të veshur me antiplumb dhe që tregon përralla.

‘’Ne sot nuk jemi këtu për t’ju treguar përralla. Përralla tregon gjithë ditën gjyshi me antiplumb. Ne jemi këtu për t’ju thënë disa të vërteta të thjeshta; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan rilindësit tanë; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata që ndërtuan shtetin shqiptar; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan edhe ata që u përndoqën, u burgosën, u pushkatuan për votën e  lirë, për fjalën e lirë, për sipërmarrjen e lirë, për një atdhe të lirë; Shqipëria mund të bëhet. Ne do ta bëjmë Shqipërinë ‘’, – tha Rama nga Bushati./al.bl/