Rama: Me ne mund të vijnë më shumë deputetë të djathtë

34

edi-rama-sotKryeministri Edi Rama deklaroi se po bëhet gati mekanizmi për të publikuar online për publikun, çdo shpenzim që bën qeveria. Në një intervistë për emisionin “7 pa 5” në “Vizion Plus”, Rama foli edhe për dorëzimin e mandatit të deputetit nga ministrat dhe tha se kjo do të nisë shumë shpejt, por nuk do të bëhet bllok. I pyetur në lidhje me mospërfshirjen e “senatorëve” të PS-së në qeveri, Rama tha se çdo ndryshim i ndodhur është bërë me mbështetjen e tyre. Në lidhje me kalimin e deputetit të PR-së në Kuvend, në krah të LSI-së, Rama tha se: “Në një moment të caktuar mund të kemi edhe më shumë”. “Por, – shtoi ai, – për këtë duhen pyetur vetë deputetët që largohen nga e djathta”.
Z.Rama, qeveria e parë me kaq shumë gra në përbërje, por duket se edhe në nivel drejtorësh keni zgjedhur femra dhe mbi të gjitha, të reja në moshë. Pse kjo zgjedhje? Femrat janë më të përkushtuara, më pak të korruptueshme, më ambicioze? Përse kjo zgjedhje? Apo të gjitha nga pak?
Janë të vërteta të gjitha këto. Por, përtej këtyre, besoj se në këto pika kyçe, që janë edhe pikat ku ndodhen gjëndrat më të mëdha tumorale të korrupsionit, është shumë e rëndësishme të ndërthurim profesionalizmin, – që unë ju siguroj që të gjitha këto vajza e kanë, – me luajalitetin ndaj misionit të marrë dhe me ambicien profesionale që po ashtu, të gjitha e kanë, sikundër edhe domosdoshmërinë që jo vetëm për vajzat, por edhe për djemtë, t’i jepet mundësi gjeneratës së re që të marrë në dorë përgjegjësi më të mëdha.
Z.Rama, keni deklaruar se do të keni një qeveri me pak shpenzime, më pak se ajo paraardhëse. Vazhdoni t’i qëndroni zotimit se do të bëni publik, online, çdo shpenzim?
Absolutisht po! Po përgatisim mekanizmin që do të bëjë të mundur filtrimin e të gjitha të dhënave drejtpërdrejt, pa asnjë reduktim apo redaktim online, të të gjitha shpenzimeve të brendshme, të Kryeministrisë dhe me radhë pastaj të të gjitha ministrive.
Keni një afat se kur do të kemi mundësinë t’i shohim të bëra publike këto shpenzime online?
Po punojmë për këtë çështje. Mos harroni që qeveria nuk ka bërë akoma një muaj.
Lidhur me çështjen e ndarjes së mandatit të deputetit, keni një marrëveshje koalicioni me LSI-në, ku ata që kanë pranuar detyrën e ministrit, janë të detyruar të lënë mandatin e deputetit, përveç kryeministrit. Kur do të ndodhë kjo?
Do të fillojë së shpejti. Është çështje procedurash dhe është çështje e një organizimi të brendshëm, për të bërë të mundur që të mos ndihet për asnjë moment në Kuvend, mungesa e votave, sepse po të shikoni edhe Kodin Zgjedhor, ka disa afate dhe ka disa procedura për zëvendësimin e një deputeti me një tjetër. Kështu që, kjo nuk mund të bëhet menjëherë dhe nuk mund të bëhet e gjitha bllok, sepse do të krijojë pastaj vakum.
Z.Rama, zgjedhjet tuaja për t’u dhënë besimin dhe detyrën emrave të rinj, ndoshta dhe të panjohur, në politikën shqiptare, a kanë ngjallur ndoshta pakënaqësi te ata që, në thonjëza, le t’i cilësojmë senatorë të PS-së, ish-themelues të saj apo ish-ministra dhe kryeministra të kësaj partie, në grupin parlamentar të PS-së? A ndjeni një lloj presioni nga ata?
E vërteta është që, ata të cilët ju iu referoheni si senatorë, janë pjesa më mbështetëse e ndryshimeve të ndodhura.
Z.Rama, nuk keni frikë se pas këtyre muajve të parë të mjaltit, do të keni edhe shumë të pakënaqur në rreshtat e partisë e ndoshta dhe të militantëve?
Nuk kam frikë nga asgjë, përveçse nga çfarë do të gjejmë përpara, në kuptimin e shifrave, të të dhënave të ekonomisë dhe të financave, në kuptimin e të papriturave që mund të na ndodhin dhe mund të na vënë në kushte emergjencash kombëtare. Edhe për të gjitha këto, frika ka vetëm një emërues: që të mos gjendemi të papërgatitur, në kushtet kur realisht, këtë gjendje dhe këtë kapacitet shumë të ulët të shtetit ne e kemi të trashëguar dhe nuk kemi asnjë përgjegjësi tonën. Për të tjerat nuk kam asnjë frikë.
Për të qenë më konkretë, cilat do të jenë sfidat e ekzekutivit “Rama” në këto 100 ditë të para, të paktën?
Zgjimi i një shteti tërësisht të përgjumur, me pjesë të tëra të trupit të tij që janë të paralizuara dhe me një pjesë shumë të madhe të trurit të vet që është jashtë funksionit.
Zoti Rama, ju keni prezantuar 3 prioritetet tuaja, që janë menaxhimi i territorit, menaxhimi i ujërave dhe sundimi i ligjit. Qytetarët duhet të presin fundin e katërvjeçarit për të bërë një bilanc, apo do të kenë rezultate konkrete që në 100 ditët e para, apo në 300 ditët e para?
Këto janë 3 prioritete që i keni identifikuar ju. Nuk ka problem, mua edhe këto nuk më duken pak. Por, sigurisht që në rrugën e realizimit të programit, do të ketë gjëra që do të preken në fillim, do të ketë gjëra që do preken më vonë dhe tërësia e rezultateve do të mund të shihet vetëm në fund.
Zoti Rama, përballja e parë do të jetë shumë shpejt me Brukselin. Sa shanse ka Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor?
Nuk është çështje date dhe për mua, e kam thënë më parë në opozitë, e përsëris sot si kryeministër, rruga e integrimit evropian nuk është një rrugë që do të thotë ne të shkojmë drejt Brukselit, por është një rrugëtim brenda nesh, për të ndërtuar Shqipërinë Evropiane këtu, në vendin tonë.
Zoti Rama, do të kemi një përgjigje pozitive? Për të hapur qoftë edhe derën e parë të atij labirinti në rrugën drejt Brukselit?
E përsëris, kjo do të varet nga ne dhe vetëm nga ne dhe kjo nuk është çështje datash, sepse gjëja më e rëndësishme është që gjërat të ndryshojnë këtu, që ato çka janë të shkruara në Raportin e Progresit apo në listën e detyrave të shtëpisë, të bëhen dhe të realizohen këtu dhe të jenë të prekshme për qytetarët shqiptarë. Për mua nuk është e rëndësishme data, për mua ka rëndësi që çdo ditë, Shqipëria të bëhet më evropiane.
Një detyrë e rëndësishme e lënë nga Brukseli është dhënia fund e kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Do të kemi diçka konkrete në këto 100 ditë që kemi para?
Ju e dini shumë mirë që kultura e pandëshkueshmërisë është një kulturë që i ka rrënjët sa tek një shtet, në tërësi, i kapur prej korrupsionit, tek një qeveri e paaftë për të luftuar sëmundjen që e ushqen vetë korrupsionin. Tek një prokurori e cila, deri më sot, nuk është treguar në lartësinë e duhur përballë korrupsionit dhe tek një gjykatë që, deri më sot, më shumë ka qenë faltore e korrupsionit sesa ndëshkimore për korrupsionin. Nuk besoj se ka mendje të arsyeshme që të gjitha këto, t’i kërkojë të zgjidhen brenda 100 ditësh.
Zoti Rama, në fjalën tuaj në seancën e parë plenare në Parlamentin e Shqipërisë, në këtë legjislaturë të re, ju e keni siguruar opozitën shqiptare se do t’i mundësoni asaj atë që ajo, në 8 vite, nuk jua mundësoi kurrë juve kur ishit në opozitë. Tashmë që keni 84 vota nëKuvend, a do t’i qëndroni prapë këtij premtimi?
100 për qind! Nuk ka lidhje me votat.
Çfarë mendoni për një deputet që ndërron krahun politik, zoti kryeministër?
Pyesni deputetin, unë nuk e kam ndërruar ndonjëherë krahun.
E bëjmë këtë pyetje sepse para pak ditësh u bëtë me 84 vota, me mazhorancë absolute në Kuvend, për shkak të një deputeti i cili ndërroi krahun?
Në një moment të caktuar ne mund të kemi më shumë, por kjo nuk do të thotë që për këtë duhet të na pyesni neve. Duhet të pyesni ata që vendosin që të ndërrojnë krahun, apo të votojnë për një ligj, ose një tjetër, që lidhet me vullnetin e shumicës.
Z.Rama, kjo do të tregojë se ka negociata? Nard Ndoka do të kalojë me ju? Është përfolur ditët e fundit në media një gjë e tillë.
Ju siguroj që nuk kam pasur kohë të merrem me çfarë flitet e çfarë përflitet, sepse jua thashë, zgjohem në mëngjes pas shumë pak orësh gjumë, me ndjesinë e kohës që ikën, ndërkohë që ka kaq shumë gjëra për të bërë. Dhe për këtë arsye, do të më falni, por realisht, nuk kam dëgjuar fare se çfarë thuhet e përthuhet.
Megjithatë, do keni dëgjuar që opozita ka bojkotuar seancën e fundit plenare dhe ka paralajmëruar një bojkot edhe më të gjatë. Cili do të jetë reagimi juaj në rast se ndodh një gjë e tillë?
Është e drejta e saj.
Z.Rama, në rast se do të ishit edhe një herë në fushatë elektorale tani dhe do ta dinit se cila është situata financiare në vend, do të kishit bërë sërish të njëjtat premtime, shëndetësi falas, legalizime falas?
Premtimet e bëra, apo zotimet e marra, janë pjesë e një vizioni dhe bazohen në një program. Është vizioni për Shqipërinë që duam, për atdheun që meritojnë fëmijët tanë dhe sigurisht, ky vizion nuk mund të kondicionohet nga gjendja financiare në një moment të caktuar. Gjendja financiare thjesht lëviz në kohë axhendën, por zotimet janë po ato, mbeten aty dhe ne do të luftojmë përditë për t’i realizuar.
Z.Rama, ndoshta jeni e vetmja qeveri, për të qenë i sigurt që nga viti 1991, që përbëheni nga 2 parti, një koalicion i fortë. Megjithatë, si ndihen aleatët e tjerë? Keni pasur marrëveshje parazgjedhore me ta për të ndarë poste, ose për të ndarë pushtetin në rast fitoreje? A ka kontakte me ta?
Duhet të pyesni ata. Unë kam qenë shumë i përqendruar në këtë periudhë fare të parë, për të sistemuar disa aspekte të mekanizmit qeverisës, që nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen me aleatët.
Pra, do të zbatohet kjo marrëveshje më vonë, në një periudhë të dytë?
Për të gjitha çfarë jemi marrë vesh, do të vazhdojmë të merremi vesh.
Z.Rama, 18 deputetët e LSI-së, deri tani, janë një mbështetje për ju, apo është ajo çka ju keni paralajmëruar dikur, një rritje e LSI-së dhe një zvogëlim i PS-së?
Nuk shikoj asnjë zvogëlim të Partisë Socialiste. Përkundrazi! Kemi marrë rezultatin më të mirë historik në këto zgjedhje. Ashtu sikundër, nuk shikoj një trupë deputetësh të ndarë në PS e në LSI. Shikoj vetëm trupën e deputetëve të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, tërësisht të vendosur për të çuar përpara një axhendë shumë ambicioze, në kushtet kur vendi e ka të domosdoshme të dalë nga një krizë dramatike dhe kur gjenerata tjetër e ka të domosdoshme të marrë më shumë besim, për të dhënë më shumë rezultat për vendin.