Rama ka nevojë për ndihmë

62

Nga Fron Nhazi

Huffington Post

Kryeministri i ri i Shqipërisë, Edi Rama, ka trashëguar një qeveri dhe një vend në prag të kolapsit social dhe financiar. Partia Demokratike në largim ka tharë financat e shtetit, ka forcuar lidhjet mes qeverisë dhe mafies dhe ka krijuar një shtet të qeverisur nga ligjet e Partisë Demokratike. Për të mbushur arkën e tharë të shtetit dhe për të tërhequr investimet e huaja- kaq shumë të nevojshme, Rama e ka vendosur si prioritet kryesor luftën ndaj korrupsionit. Por nëse Rama nuk ka veshur një kostum të ngushtë dhe një pelerinë të kuqe, ai do të ketë nevojë për ndihmë emergjente dhe të qëndrueshme nga qeveritë e tjera. SHBA dhe BE- ku Shqipëria aspiron të anëtarësohet, duhet të mbështesin ankesat për korrupsion duke u angazhuar në mënyrë aktive. Ata nuk duhet të jenë më thjesht tifozë të qeverisjes së mirë, por të bashkojnë forcat për të prerë tentakulat e mafies shqiptare.

Por sa larg janë shtrirë këto tentakula? Raportimet e shpeshta e lidhin elitën politike të vendit me trafikun e drogës, qenieve njerëzore, bixhozin, ndërtimet e paligjshme, kontrabandën e naftës, etj. Një mori gjykatësish, oficerësh të policisë dhe gazetarësh janë në listat e pagesave të sindikatave të krimit të organizuar. Një kabllogram i ambasadës amerikane i vitit 2009, i publikuar nga Wikileaks, detajon korrupsionin në nivele të larta, duke i quajtur drejtuesit e Shqipërisë “shkelësit e ligjit të kthyer në ligjvënës”. Mendohet se Shqipëria humbet 300 milion dollarë në të ardhura tatimore çdo vit vetëm për shkak të falsifikimeve në fushën e karburantit.

Për të zgjidhur këtë nyje, Rama ka nevojë për ndihmë. Reformat e guximshme dhe të gjithanshme, nëse ai vendos t’i hyjë kësaj rruge, do të kërkojnë mbështetjen e fortë ndërkombëtare dhe kriticizmin e fortë të publikut kur reformat të ngadalësohen. Kritike është monitorimi i vazhdueshëm për të siguruar se një regjim i ri i korruptuar nuk do zëvendësojë atë të vjetrin. Eksperienca e mbështetjes perëndimore për Misha Sakashvilin në Gjeorgji ka rëndësi këtu: Sakashvili erdhi në pushtet me angazhimin anti- korrupsion dhe së fundmi u flak nga pushteti me votë pikërisht për të njëjtat abuzime.

Qeveritë amerikane dhe evropiane kanë dhënë miliarda dollarë ndihmë për zhvillimin demokratik të Shqipërisë që prej rënies së komunizmit 20 vjet më parë. Këtu përfshihet ndihma ndaj qeverisë shqiptare për të hartuar politika anti-korrupsion dhe ligje, të cilat nëse do zbatoheshin, do i kishin dhënë fund korrupsionit dhe do dërgonin prapa hekurave shumë zyrtarë. Por edhe komuniteti ndërkombëtar, edhe shqiptarët, ishin të bashkuar në shpresat naive për rezultatin. Shqiptarët besonin se si çdo investitor që kërkon të mbrojë investimin e tij, komuniteti ndërkombëtar do kishte rol më të madh në të ardhmen e vendit. Ata i mbështetën shpresat e tyre tek Perëndimi si një lloj lige super- miqsh për drejtësi, e angazhuar për drejtësi sociale dhe për t’i dhënë fund tiranisë në botë si dhe për të ndëshkuar liderët e zgjedhur kur ata dalin nga kontrolli. Qeveritë perëndimore, nga ana tjetër, shpresonin për qytetarë më aktivë në Shqipëri, që do kërkonin transparencë dhe llogaridhënie nga qeveria e tyre. Për fat të keq, edhe liga e super- miqve të huaj mbeti thjesht një libër me superheronj dhe shqiptarët vazhdojnë të jenë të heshtur në lidhje me korrupsionin, duke u varur në pikëpamjet e tyre politike. Zyrtarët kryesorë dhe bosët e mafies nga ana tjetër vazhdojnë të bëjnë para.

Lideri i ri, Edi Rama, ka shprehur gatishmërinë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Europa dhe SHBA nuk duhet të adoptojnë një qasje prit- dhe- shih, por duhet të bashkohen me Ramën duke marrë një pozicion aktiv publik kundër bosëve të krimit të organizuar. Kjo do të thotë se ata duhet të shfrytëzojnë organet e zbatimit të ligjit dhe agjencitë e inteligjencës së vendeve të tyre për të identifikuar dhe ndjekur penalisht bosët e mafies dhe përkrahësit e tyre brenda dhe jashtë qeverisë.

Shqipëria nuk ka nevojë për superheronj. Ajo ka nevojë për nëpunës publikë që i binden ligjit dhe fonde për shërbimet qeveritare që të përmirësohet jeta e qytetarëve. Për fat të keq kjo mund të arrihet vetëm nëse Rama do e çlirojë Shqipërinë nga kthetrat e krimit të organizuar. Kjo është e mundur me ndihmën e miqve.

*Huffington Post