Rama: Industria fason përbën një potencial të madh punësimi

73

rama ne pejeKryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Vlorë, vizitoi sot një tjetër biznes fason në Nartë, fabrikën e “Alba Shoes”, një linjë e prodhimit të këpucëve.

Nga drejtuesit e saj, Kryeministri u informua se pas investimeve të kryera, “Alba shoes”, që aktualisht vetëm në qytetin e Vlorës ka të punësuar 700 vetë, është një fabrikë me linjë me cikël të mbyllur prodhimi dhe pas rinovimit të teknologjisë, në nëntor të vitit të kaluar, ajo ofron ambiente dhe kushte moderne pune.

Ai u njoh edhe me ambiciet e sipërmarrësit për ta zgjeruar aktivitetin me hapjen e një linje të re po në Vlorë dhe një tjetër në Çorovodë.

Me investimet e reja, ata planifikojnë hapjen e 500 vende pune të reja brenda këtij viti në Vlorë dhe Çorovodë. Kryeministri vlerësoi se edhe nga kjo vizitë konstatohet se industria fason përbën një potencial të madh punësimi dhe se në Shqipëri, ajo ofron avantazhe konkurruese, të cilat qeveria, nënvizoi Kryeministri, synon t’i forcojë edhe me paketën e re prej 42 masash mbështetëse për këtë industri.

“Këtë muaj do të bëjmë edhe takimin me ju, që jeni në këtë industri për të shpallur paketën  e masave që e kemi gati”, u shpreh kreu i Ekzekutivit.

Në dy muajt e fundit, Kryeministri ka vizituar disa biznese fason, me qëllim prezantimin e paketës së re të masave fiskale dhe administrative, e cila adreson shqetësimet e këtij biznesi dhe reflekton kërkesat e tij. Biznesi fason vlerësohet një sektor me potencial të madh për rritjen e punësimit.