Rama: Do Rindërtohet një Hekurudhë mbi një Plan Rajonal

54

29-maj-Rama-Kavaje-300x158Në takimin e tij elektoral me banorët e Kavajës, lideri socialist Rama premtoi, se ndryshimi që do shoqërojë fitoren, do të jetë i shumëfishtë, në të gjitha planet dhe për të gjithë kavajasit. Rama sulmoi dhe kryeministrin Berisha për hipokrizinë e takimeve të tij dhe skenave të inskenuara me gjasme peshkatarë, që e pyesin nëse do kapin peshk apo nuk do kapin.

“Unë jam i bindur që me fitoren e 23 qershorit dhe me mbështetjen që do të marrë qyteti i Kavajës nga qeveria në Tiranë, ky transformim do të jetë i shumëfishtë në të gjitha planet dhe për të gjithë kavajasit. Ju i keni parë besoj këto kënde fjale që ne organizojmë. Nuk janë si ato të Saliut, i cili merr nga ata nëpunësit që bëjnë sikur janë peshkatarë dhe e pyesin a do kapim peshk a s’do kapim peshk. Qëllimi ynë është të bashkëbisedojmë”,- deklaroi Rama.

Ai iu përgjigj në vazhdim dhe shumë pyetjeve që preknin aktualitetin ekonomik dhe politik. Në lidhje me punësimin e të rinjve Rama deklaroi se do të ketë një fokusim në specializim profesional, sepse tregu nuk ka nevojë vetëm për juristë, por ka nevojë për të gjithë profesionet.

“T’i japim mundësi të gjithë të rinjve që e meritojnë dhe dëshirojnë të vazhdojnë universitetin që të shkojnë në universitet nga ana tjetër t’u japim mundësi të tjerëve që të fitojnë një zanat me shkollën profesionale. Me atë zanat të mund të hapin një biznes të vogël, të futen në një kompani, të ndërtojnë jetën e tyre me punë të ndershme dhe të fitojnë lekë me atë punë. Ndërkohë atyre të rinjve që sot e kanë mbaruar shkollën e mesme dhe janë pa punë ne do t’u ofrojmë kushte të trajnimit profesional në mënyrë që të aftësohen në një zanat të caktuar. Sepse sot në Shqipëri kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë. Edhe këtu kushedi sa juristë kemi tani prezent. Po nuk kemi hidraulikë, nuk kemi elektricistë, nuk kemi teknikë ndërtimi, nuk kemi teknikë bujqësie, nuk kemi teknikë peshkimi, zanatçinj”, -tha Rama

I pyetur në lidhje me politikat e arsimit Rama nënvizoi se PS, ka një program të veçantë për të ndërtuar korpusin e të rinjve, të rinjtë që duan të kontribuojnë në jetën e vendit, në jetën sociale, në jetën komunitare, që duan të përfshihen në shërbime sociale dhe në shërbime komunitare. Rama tha se Kryetari i Bashkisë së Kavajës në bashkëpunim me deputetin përkatës, do bëjnë gjithçka për t’i pasuruar jetën rinisë së Kavajës.

Në lidhje me politikat e punësimit të gruas Rama u shpreh, duke e venë theksin tek ruajtja e barazisë gjinore në punësim dhe dhënies përparësi të saj. Ai ritheksoi premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të punës.

I pyetur për çështjet e shëndetësisë, lideri opozitar u përgjigj duke premtuar, se do hiqet taksa e ilaçeve do të bëhet zero me synimin që të ulet çmimi dhe  nuk do të lejojë asnjë ilaç në Shqipëri, që të shitet më shtrenjtë se, sa atje ku blihet. Rama ritheksoi edhe njëherë përpara qytetarëve të Kavajës, se shërbimi shëndetësor do të jetë falas.

Për sa u përket projekteve konkrete, që prekin qytetin e Kavajës, Rama dekalroi se është një projekt i ri për sheshin e Kavajës, si edhe projekti për xhaminë e qytetit. Në lidhje me politikat mbi invaliditetin socialisti Rama tha se do të bëhet një regjistrim shumë i saktë dhe do të fillohet të ndërtohet një mbështetje për personat me aftësi të kufizuar duke u munduar po ashtu, që të përfshihen edhe në administratë me vend pune të veçanta për to.

Lideri Rama deklaroi gjithashtu nga Kavaja në lidhje me legalizimet, se do ta drejtojë personalisht këtë proces, që të mos mbetet më një çështje elektorale por të zgjidhet përfundimisht.

Një pyetje tjetër që prekte sistemin hekurudhor, Rama iu përgjigj se PS ka një ide tjetër që është pjesë e programit për bashkëpunim rajonal :

“Hekurudha mund të rindërtohet vetëm mbi bazën e një plani të gjithë rajonit, që të bashkohen bashkë Kosova, Mali i zi, Kroacia, Shqipëria, Bosnja dhe të paraqesin një plan dhe një projekt në BE dhe kjo të financohet edhe nga BE. Ne kemi besim se me një plan të mirë zhvillimi rajonal kjo mund të fillojë të financohet”,- deklaroi Rama.