Rama dhe Tahiri te RENEA

62

rama 29 nentorKryeministri i vendit, Edi Rama, ka marrë pjesë sot në një ceremoni të zhvilluar tek Komanda e Forcave RENEA. I shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, kreu i qeverisë Rama ka falënderuar forcat RENEA dhe Policinë e Shtetit për punën e shkëlqyer që kanë bërë përgjatë gjithë këtyre ditëve, që prej ardhjes në pushtet të qeverisë së re, por veçanërisht për punën e bërë ditët e fundit, për kapjen e shtatë të arratisurve nga burgu i Drenovës.

“Jam sot këtu në një ditë të veçantë, ditë e cila përkon edhe me festën e çlirimit të vendit. Jam këto pikërisht në këtë ditë, sepse e ndjeva për detyrë që në emër të gjithë qytetarëve t’ju përulem të gjithëve, jo vetëm me fjalë por edhe me përkushtimin tonë më të madh.

Jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësitë që ju përballeni çdo ditë. Por pavarësisht vështirësive, pasioni juaj për t’i shërbyer detyrës që keni marrë përsipër, dhe saj ëndrre që ju ka sjellë në radhët e policisë së shtetit, është më i madh se çdo vështirësi.

Pathyeshmëria juaj dhe ajo e shtetit është përballë kujtdo që cënon shtetin dhe rendin”, -u shpreh Rama.

Duke theksuar vështirësinë e punës që kanë forcat e rendit dhe të Policisë së Shtetit, kryeministri Rama tha se ata e kanë bërë shumë mirë detyrën e tyre, edhe pse në kushte të vështira.

“Ju keni një detyrë të vështirë, e cila vë në rrezik vetë jetën tuaj. Por ju e bëni këtë detyrë shumë mirë, ashtu siç treguat ato ditë. Ju ndodheni në kushte të vështira, ekonomike, financiare edhe morale, por ne kemi detyrën që t’ju bëjmë ju të ndjeheni përditë e më mirë, jo vetëm moralisht por edhe ekonomikisht. Kushtet që ne kemi aktualisht janë shumë të vështira, por kjo nuk është e pamundur”, -tha Rama.

Duke vënë theksin tek ndihma ekonomike e financiare që duhet t’u jepet forcave blu, Rama kërkoi mirëkuptimin e gjithë shoqërisë, që ta kuptojnë se Policia e Shtetit duhet të jetë e para që do të përfitojë nga rritja financiare.

“Jam i bindur se ajo që ju bëni do të krijojë mirëkuptimin e nevojshëm brenda gjithë shoqërisë, që përmirësimi i kushteve tuaja financiare të bëhet i pari, qysh vitin e ardhshëm, dhe të tjerët duhet ta kuptojnë këtë, që policia e shtetit duhet të jetë e para, e cila duhet të përfitojë nga një rritje financiare”, -deklaroi kreu i qeverisë.

Më tej Rama shtoi: “Sot unë ju përulem me mirënjohje, në emër të të gjithë atyre që u tronditën nga largimi nga burgu të shtatë kriminelëve, por edhe të atyre që çdo ditë përballen me lloj-lloj situatash.

Ditët, javët dhe muajt në vijim, falë jush ne do t’i kthejmë në ditët e çlirimit kombëtar nga ankthet që krijojnë vrasjet, përdhunimet, dhunimet dhe grabitjet.

Edhe një herë e përsëris, ne do të bëjmë gjithçka për të përmirësuar kushtet tuaja dhe të familjeve tuaja, kushtet brenda kësaj ndërmarrjeje dhe kushtet tuaja të stërvitjes. Ne nuk do t’ju tradhtojmë kurrë, ne nuk do t’jua lëmë shpinën e pambrojtur, ne nuk do të lejojmë që të përsëritet kurrë tradhtia e së kaluarës, që e ka bërë Policinë e Shtetit humbëse, pasi ata kanë pasur avantazhin e të qenit të mbuluar politikisht karshi jush. Kjo është vetëm një kujtesë e hidhur e një të shkuare, që për sa kohë ne do të jemi në krye të detyrës sonë, nuk do të përsëritet kurrë.

Ju duke qenë në vijën e parë të frontit të krimit, dhe ne duke qenë në mbështetjen tuaj më të plotë dhe të pa lëkundur, do t’ia dalim mbanë”, -tha kryeministri Rama.

Më tej Rama uroi 29 nëntorin, ditën më të bekuar, siç e quajti ai, ditën kur ne nderojmë të rënët në këtë vend.

“Qofshin gjithnjë mirë, paçi gjithnjë shëndet në familjet tuaja dhe qofshin gjithnjë krenarë prindërit dhe fëmijët tuaj”, -ka përfunduar Rama.