PS: Do të zhbëjmë koncesionet e gabuara të Berishës

49

ermonela-felajNëpërmjet deputetes Ermonela Felaj, PS akuzoi qeverinë në ikje se po merr vendime që bien ndesh me votën plebishitare dhe votën e popullit. PS i bën thirrje organit të Prokurorisë për të nisur çështjen dhe hetimet për grabitje të pronës publike.

“Edhe pse përmes një vote plebishitare shqiptarët zgjodhën ndryshimin në zgjedhjet e 23 qershorit, qeveria në ikje ende vazhdon të ndërmarrë vendime të cilat bien ndesh me interesin publik dhe në të njëjtën kohë nuk plotësojnë vullnetin e popullit që u shpreh përmes votës. Jo më larg se në datën 19 gusht, Agjensia e Prokurimeve Publike ka shpallur fituesin e tenderit për dhënien me koncesion të Portit të Durrësit. Një tjetër tender, një tjetër koncesion, një tjetër plaçkitje e aseteve publike. Dhe mbi të gjitha, një proces aspak transparent, i nisur vetëm 3 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe i përfunduar pasi shqiptarët e kishin shprehur vullnetin e tyre për të dërguar qeverinë Berisha në opozitë. Mungesa e plotë e transparencës, por edhe periudha kohore kur ky proces u zhvillua, na bën të mendojmë se ky tender është një procedurë e pastër elektorale, e cila për ne është e papranueshme. Njësoj siç është e papranueshme vala e koncesioneve dhe privatizimeve të gabuara, në dëm të interesit publik, karakteristikë e 8 viteve qeverisje të Sali Berishës dhe një nga arsyet pse shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare kundër tij”, deklaroi në një konferencë për shtyp, Ermonela Felaj.

“Ky vendim do të jetë një prej atyre vendimeve që do të zhbëhet nga qeveria e re qysh në mbledhjet e para të qeverisë. Por në të njëjtën kohë, dëshirojmë t’i bëjmë thirrje organit të prokurorisë për të nisur çështjen dhe hetimet për grabitje të pronës publike. Për ne pasuria kombëtare është aseti më i çmuar, që në asnjë rast e për asnjë arsye nuk mund të shpërdorohet në këtë formë”, përfundoi Felaj.