Pollo: Qeveria Rama vazhdon shkarkimet e paligjshme

48

genc-pollo1Në një konferencë për median nga selia e PD-së, deputeti Genc Pollo, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se, injoron vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese. Pollo theksoi se qeveria Rama, nuk është duke zbatuar vendimin e Kushtetueses rreth aktit normative për ligjin e nëpunësit.

“Qeveria Rama vazhdon të injorojë vendimin e Gjykatës Kushtetuse i cili i ka shpallur të paligjshme spastrimet  në administratë. Pak ditë më parë, është shkarkuar nga detyra, drejtoresha e Agjensisë së Prokurimit Publik, pa asnjë arsye, motiv apo referencë ligjore; pa i  vënë në dispozicion asnjë shkresë, apo dokument. Njihen botërisht reformat dhe rezultatet e arritura tek ne në fushën e prokurimit publik.

Nga janari i vitit 2009, 100 përqind e prokurimeve publike kryhen në mënyrë elektronike. Qeveria e PD, mori çmimin e dytë në Botë, dhënë nga Kombet e Bashkuara, për Shërbime Publike, me motivin: “Përmirësimi i transparencës, përgjegjshmërisë dhe gadishmërisë në shërbimin publik”.

Të gjitha këto arritje, u përmbushën falë përkushtimit të punonjësve të agjensisë, por dhe falë mbështetjes teknike e financiare të partnerëve, si Komisioni Europian apo USAID. Qeveria Rama, me shkarkimet e paligjshme, jo vetëm që nuk njeh këto rezultate, dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, por thellon edhe më shumë paligjshmërinë duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e detyron atë të ndalojë këto praktika”, deklaroi Pollo.