“Kryetari i Kuvendit Ilir Meta duket se urdhëron falsifikimin e fakteve dhe mashtrimin përmes shkresave duke detyruar vartësit e tij të firmosi se ‘fluturon samari’. Konkretisht, në dy shkresa të Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura të pas zgjedhjeve parlamentare, e para më 30 korrik, e dyta më 14 tetor 2013, konfirmohet se kryetarja e AMA-s dhe tre anëtarë kanë mandate të plotë, ndërkohë që ka dhe tre poste vakante të cilat duhen plotësuar. Në shkresën e tretë të 12 marsit, javën e shkuar, ndodh zbulesa që AMA ka jo vetëm tre poste anëtarësh vakant, por edhe se posti i kryetarit është prej vitesh vakant. Kjo shkresë i dërgohet vetëm e personalisht Kryetarit të Kuvendit, por jo siç ka ndodhur gjithmonë, komisionit tonë”, -deklaroi Pollo.
Më tej Pollo tha se e gjitha kjo është një përpjekje për të krijuar e konsoliduar monopole në tregun mediatik, që konsumatorët të paguajnë 300 mijë lekë të vjetra një kartë abonimi digjitale, që në kushtet e konkurrencës se lirë do ta blinin për vetëm 200 mijë lekë të vjetra.