Policët dhunojnë adoleshentët, reagon Tahiri

25

rrahja-policiMenjëherë pas publikimit të një videoje, ku dy punonjës te Komisariatit nr. 2 të Policisë në Tiranë, kanë ushtruar dhunë mbi disa adoleshentë, vjen dhe reagimi i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ministri Tahiri ka dënuar sjelljen  e personave me uniformë të policisë, duke e konsideruar atë shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ministri Tahiri është shprehur i kënaqur që pezullimi i policëve është bërë menjeherë pas ngjarjes ende pa u publikuar video.

Reagimi i Tahirit:

Jam i keqardhur për sa mësova dhe pashë në një stacion televiziv mbi sjelljen e dy punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ky është një standard i papranueshëm për Qeverinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Shtetit por edhe për mua personalisht.

U kërkoj ndjesë të rinjve dhe familjarëve për shqetësimin e shkaktuar padrejtësisht nga disa efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë kapërcyer limitin e ushtrimit të detyrës duke shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Ndërkohë jam ndier disi më i lehtësuar, kur mësova se efektivët e përfshirë në këtë ngjarje janë pezulluar nga Drejtori i Policisë Tiranë që dje në mbrëmje, shumë më parë se ky incident të bëhej publik në media.

Nga njëra anë, ky është një rast që tregon më së miri domosdoshmërinë tonë për të reformuar burimet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke garantuar plotësisht respektimin e të drejtave të njeriut nëpërmjet formimit të vazhdueshëm të kapaciteteve.

Jam i bindur se sado i mirë të jetë qëllimi i efektivëve të policisë në përmbushje të detyrës, mënyra e dhunshme shkallmon çdo standard të legjitimitetit dhe ligjshmërisë në realizimin e misionit të policisë.

Nga ana tjetër, ky episod dëshmon domosdoshmërinë për të rikonceptuar rolin e punonjësit të policisë dhe mënyrën e përmbushjes së detyrës.

Cilido prej efektivëve të policisë nuk mund t’a konsiderojë çështje personale përballjen me qytetarët dhe kriminelët ne veçanti.

Përkundrazi, lufta jonë kundër krimit është çështje e ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.

E pikërisht pse respektojmë këto të fundit, luftojmë kundër atyre që cenojnë këto të drejta.

U bëj thirrje, duke i inkurajuar maksimalisht punonjësit e Policisë së Shtetit të bëjnë të pamundurën në luftë kundër krimit, por duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Realizimi i detyrës, duhet t’i nënshtrohet kurdoherë testit të vazhdueshëm të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Është ekuilibër i domosdoshëm, por që duhet rivendosur menjëherë.

Asnjë hap pas në luftën tonë kundër krimit, por duke mbajtur parasysh se respektimi i të drejtave themelore të njeriut është gur themeli në punën tonë.

Vetë ligji parashikon mjaftueshmërisht “dhunë” nëpërmjet sanksioneve e dënimeve ligjore, sa është e papranueshme çdo dhunë tjetër e çdo lloji.

Shpresoj të tilla episode të mos përsëriten në të ardhmen.

Jemi në rrugën e duhur dhe të tilla episode janë vështirësi tërësisht të kalueshme për të rikthyer Policinë e Shtetit në misionin e vet.