Plan për mbrojtjen e pasurisë së nëndheshme

57

saimir tahiriKontrabanda e mineraleve i shkakton buxhetit të shtetit shqiptar miliona euro dëm çdo vit. Deri tani kanë munguar masat për parandalimin e këtij fenomeni. Ndërsa sot, është bërë dhe hapi i parë për goditjen e veprimtarisë për kontrabandimin e pasurisë së nëndheshme të Shqipërisë.

Policia e Lezhës, ka bllokuar 15 kamionë të ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte, për të cilët transportuesit nuk kishin dokumentacionin përkatës. Minerali u përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në rrethet e Bulqizës dhe Dibrës.

Fill pas këtij operacioni, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri zhvilloi një vizitë pune në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë ku është takuar me drejtues të kësaj drejtorie si dhe me drejtues të Policisë së Qarkut të Dibrës.

Tahiri ka theksuar se, duhet bërë akoma më shumë për të frenuar këtë veprimtari kriminale, e cila i shkakton dëme të mëdha buxhetit të shtetit dhe ekonomisë së vendit. Në këtë takim u vendos për hartimin e një plani operacional me detyra konkrete për të gjitha strukturat e policisë për të goditur kontrabandën e kromit.

Plani do të parashikojë forcimin e kontrolleve si në akset rrugore kombëtare ashtu edhe në pjesë të tjera të territorit ku mund të zhvillohet kjo veprimtari e paligjshme, e deri në pikat kufitare nga ku ky mineral nxirret jashtë vendit.