Plagoset me armë zjarri pronari i një lokali

61

POLICIA_TIRANENjë person është plagosur me armë zjarri paraditen e sotme në kryeqytet. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në Rrugën e Elbasanit, pranë Shkollës së Baletit, ku një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ndaj pronarit të një lokali.

Mësohet se i plagosuri është shtetasi Fatjon Dauti, i cili është qëlluar brenda lokalit të tij në Rrugën e Elbasanit, që pritej të hapej këto ditë. Dauti është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak, prej ku mësohet se është në gjendje të rëndë.

Ekspertë të policisë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e krimit. Ndërkohë policia po merr në pyetje edhe dëshmitarët në vendngjarje, për të siguruar të dhëna që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt për motive pronësie.