PD:Nuk pranojmë rezultatin zgjedhor të diktuar nga Rama me vrasës, trafikantë droge dhe prostitucioni

55

gerti-bogdaniPD ka akuzuar sot publikisht liderin socialist Edi Rama, se i ka fituar zgjedhjet nëpërmjet krimit, drogës, trafiqeve dhe prostitucionit.

Duket se dorëheqja formale e Kryeministrit humbës Berisha, nuk ka lidhje me realitetin perceptues të kreut të selisë blu. Në vazhdën e daljeve publike nga selia Kryeministrore dhe refuzimit për t’u konsideruar një Kryeministër në ikje, Berisha po angazhon skemat për një ripërtëritje të mundshme të rezultatit zgjedhor. Pas vendimit të KQZ-së, me 4 anëtarë, për rinumërim të votave në qarkun e Lezhës, selia blu ka dalë në një deklaratë për mediat ku akuzon me një larmi fjalori penal, palën fituese të këtyre zgjedhjeve.

Gerti Bogdani në një prononcim për shtyp deklaroi: “Pasi zhduku me terror dhune dhe para te pista tabelat origjinale të rezultateve të këtyre dhjetë  qendrave dhe dorëzoji ne KQZ tabela te falsifikuara nën kërcënimin e armëve dhe parave te drogës, sipas te cilave Edi Rama kishte fituar mandatin  e katërt në qarkun e Lezhës me mbi 400 vota me tepër se sa PD”.

Pasi KQZ hapi për të numëruar votat ne 10 kutitë me tabela te falsifikuara doli se banda e tarfikantave, vrasësve të Edi Rames në listat e tij për deputet i kishte dhënë PS 300 vota në të cilat qytetarët kishin votuar PD.  Partia Demokratike në një akt përgjegjësie morale ka njohur dhe pranuar me dinjitet rezultatin e zgjedhjeve te diktuar nga mashtrimet e premtimet antiglobaliste  të Edi Ramës. Por, ajo nuk do pranoje kurrë rezultat te diktuar nga Edi Rama me vrasës, trafikante droge dhe prostitucioni”- përfundon deklarata.

Duket se pas dorëheqjes formale nga kreu i PD-së, pas vendimeve të përditshme në shkelje me rregullat dhe situatën financiare në vend, Berisha po përpiqet t’i ofrohet skemës së zgjedhjeve bashkiake të vitit 2011, të cilat përmbysën rezultatin duke nxjerrë fitues Lulëzim Bashën.

Të gjitha këto lëvizje veçse tregojnë tentativat e Berishës për qëndrim në pushtet, dhe përmbysje të mundshëm të rezultatit nëpërmjet vendimeve të paligjshme të KQZ-së.

Ndërkohë që përgjatë kësaj kohe kutitë kanë qenë në ruajtje nga forcat e tij, ai kërkon rihapje të tyre, njësoj si në skemën e rrëmbimit të mandatit nga tavolina, të Lulëzim Bashës.