PD: Rama rilindi Enver Hoxhën

66

vorspiPartia Demokratike ka komentuar praninë e fotos së Enver Hoxhës dje në homazhet që kryeministri Edi Rama bëri me rastin e Ditës së Çlirimit.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi u shpreh se: “23 vjet pas rrëzimit të diktatorit më të egër të europës, Edi Rama e rilindi dje Enver Hoxhën, duke bërë homazhe për të dhe nën shoqërinë e tij. Prania e fotos së Enverit në ceremoninë e kryeministrit, është rënia e të gjithë skrupujve dhe shfaqja e fytyrës së vërtetë politike të kryeministrit të sotëm”.

Sipas Vorpsit, “ky provokim i qëllimshëm, i pabesë, në mes të ditës, është bërë me porosinë dhe nën regjinë e Edi Ramës. Shihni faqen zyrtare të Kryeministrit në facebook, fotoja e parë e ceremonisë është ajo ku duket Enver Hoxha”.

“Edi Rama erdhi në pushtet me mashtrim, e nisi qeverisjen me dhunë, shkel ligjin e kushtetutën, dhe në përpjekjen e tij për të trembur këdo, për të futur frikën si tiparin e tij ekzekutiv, ai thërret në ndihmë dikatorin Enver Hoxha” – u shpreh zëdhënësja e PD, Vorpsi.

Zëdhënësja Vorpsi theksoi se: “Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit të distancohet urgjentisht nga akti I oshtërimit të shqiptarëve, si dhe të kërkojë falje sot, tani, pa kaluar as edhe një orë më shumë, të gjitha familjeve shqiptare e të gjithë shqiptarëve që kanë vuajtur drejtpërdrejt regjimin gjakatar të Enver Hoxhës. Ne i kërkojmë ta bëjë këtë, përpara se të jetë vonë. Askush nuk guxon të luajë me dhimbjen e vuajtjet më të mëdha të këtij kombi”.