“Akti Normativ është në kundërshtim të plotë me ligjin organik, i cili rregullon procesin e buxhetimit dhe menaxhimin financiar të vendit dhe krijon një precedent të rrezikshëm për prishjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit duke marrë borxhe për të paguar pagat e nëpunësve apo kryer shpenzime të tjera për administratën publike.
Gjatë 8 viteve te qeverisjes së Partisë Demokratike borxhi jo vetëm nuk është përdorur për shpenzime rutinore operative, por nga 5.4 miliardë dollarë investime, 4 miliardë janë mbuluar me borxh dhe pjesa tjetër nga të ardhurat. Për këtë arsye, jam sot këtu si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që t’i kërkojmë Kryetarit të Parlamentit që në bazë të kompetencave që ka, ta kthejë këtë Akt Normativ në qeveri dhe të mos e paraqesë për miratim në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Siç e theksova edhe më sipër ky është një akt i paligjshëm sepse Qeveria e ka mundësinë e marrjes së huave vetëm për investime dhe projekteve të investimeve dhe jo për shpenzime të administratës, siç ka parashikuar me këtë Akt Normativ, ku 90 milionë dollarë parashikohen të përdoren për shpenzimet e administratës. Ky Akt Normativ është antiligjor dhe i kërkojmë kryetarit të Parlamentit t’ia kthejë qeverisë për ta hartuar në përputhje me ligjin”, – tha Paloka.