Pacolli: “Trepça” do t’i kthehet popullit të Kosovës

15

PacolliZëvendëskryeministri Behxhet Pacolli ka thënë mbrëmjen e djeshme se kombinati metalurgjik “Trepça” nuk duhet të shitet dhe as të tjetërsohet. Sipas tij, ky kombinat duhet t’i mbetet popullit të Kosovës. Ai po ashtu ka thënë se “Trepça” nuk mund të jepet as me koncesion, pasi sipas tij kjo do të ishte katastrofë për vendin. “Trepça duhet t’i kthehet Kosovës dhe ta ruajmë për vete. Ky kombinat mund të funksionoj me njerëzit e vet, sepse ata e dinë më se miri se duhet ta çojnë përpara atë”, ka thënë Pacolli në televizionin publik.

Paçolli shpreson që shumë shpejt do të kalojë ligji edhe në Parlamentin e Kosovës, kështu që Trepça gjegjësisht minierat e Trepçës do të kthehen në duart e menaxhimit dhe do të fillojë një punë e mbarë. Sipas tij, “Trepça” prej 15 vjetësh është mbajtur peng në mungesë të një ligji të tillë. “Lajmi se do të kthehet ”Trepça” në binarët e vet është lajm i mirë”, ka thënë Paçolli. Ai është shprehur se planin për rivitalizimin e këtij gjiganti të zhvillimit ekonomik të Kosovës do ta bëjnë ekspertë vendorë dhe nga këtu i ka bërë thirrje AKP-së që ta anullojë tenderin e hapur për përzgjedhjen e një kompanie ndërkombëtare që do ta bënte këtë punë.

Paçolli iu është përgjigjur edhe reagimeve se ai ka interes në “Trepçë”. “Interesat e mija nuk varet nga “Trepça”, ato i kam arritur jashtë Kosovës, prandaj nuk kam asnjë qëllim aty. Gjithçka është për të mirën e vendit dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë Pacolli.