Paçolli shpreson që shumë shpejt do të kalojë ligji edhe në Parlamentin e Kosovës, kështu që Trepça gjegjësisht minierat e Trepçës do të kthehen në duart e menaxhimit dhe do të fillojë një punë e mbarë. Sipas tij, “Trepça” prej 15 vjetësh është mbajtur peng në mungesë të një ligji të tillë. “Lajmi se do të kthehet ”Trepça” në binarët e vet është lajm i mirë”, ka thënë Paçolli. Ai është shprehur se planin për rivitalizimin e këtij gjiganti të zhvillimit ekonomik të Kosovës do ta bëjnë ekspertë vendorë dhe nga këtu i ka bërë thirrje AKP-së që ta anullojë tenderin e hapur për përzgjedhjen e një kompanie ndërkombëtare që do ta bënte këtë punë.
Paçolli iu është përgjigjur edhe reagimeve se ai ka interes në “Trepçë”. “Interesat e mija nuk varet nga “Trepça”, ato i kam arritur jashtë Kosovës, prandaj nuk kam asnjë qëllim aty. Gjithçka është për të mirën e vendit dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë Pacolli.