Kur kasta shkëputet nga realiteti

18

saliu-n-dritareNga Alban Blushi

Rezultati i deritanishëm mbi zgjedhjet arriti të shokojë këdo. Shokoi edhe vetë PD-në, e cila e shkëputur në një terren thuaje virtual, kishte humbur çdo lidhje me realitetin, duke krijuar një të tillë fals. Shkëputja ishte e krijuar në disa nivele, të cilat burimin e përcjelljes e kishin nga kasta drejtuese.

Rrethi i parë i shkëputjes krijohej nga pasuria e krijuar, e cila filloi të rriste në mënyrë artificiale vetëvlerësimin personal, vetëvlerësimin përballë publikut, duke besuar në vlera të rreme të aftësisë vetjake, dhe duke transformuar gradualisht çdo ditë e më shumë kastën drejtuese. Kjo krijonte një shkëputje, pasi duke fuqizuar personat i bënte ato të ndjeheshin të paprekshëm dhe të pathyeshëm në politikë.

Rrethi i dytë i shkëputjes krijohej nga muri rrethues, që po krijohej gradualisht. Të gjendur në komoditet parash, që nuk iu përkisnin atyre, filluan të rrethoheshin nga trupëroja pa fund, të cilët krijonin dy efekte: së pari, i bënin të ndjeheshin komod gjatë rrugës dhe mënyrës së pasurimit të tyre dhe së dyti, rrisnin në mënyrë artificiale pushtetin dhe fuqinë e tyre personale përballë publikut, duke parakaluar me rrethin e truprojave, që i mbronin për ditë, nga s’merret vesh se kush?! Ideja që kërkohej t’i përcillej popullit ishte, se tashmë u bëmë të ‘paprekshëm’, rrjedhimisht të fortë dhe të pathyeshëm në pushtet. Logjikë e gabuar, pasi ngritja e barrierave ndaj ambientit social rrethues, të vjen si bumerang, pasi nuk sjell veçse izolim.

Rrethi i tretë i shkëputjes, filloi të përkeqësohej dhe më shumë kur të gjendur në një klimë ku vetëvlerësimi personal ishte vetëm në ngjitje, kur pasuria që po i rrethonte vetëm rritej dhe kur tashmë ishin ngritur të tëra muret mbrojtëse, filluan të rrëshqisnin gjithmonë e më shumë drejt shpërfilljes së ligjit, duke menduar, se tashmë kishte ardhur momenti, për t’u shndërruar në vetë ‘ligjin’. Kjo po vërtetohej për ditë me rrëshqitjet e mëdha drejt korrupsionit të të gjitha llojeve deri sa degjeneroi në vrasje, si pasojë e politikave të korrupsionit dhe në vrasje live për të asgjësuar bërthamën filozofike të një sistemi demokratik. Paralelisht me këtë situatë të zëvendësimit të ligjit publik me ‘ligj personal’ duhet parë edhe zhvillimi i kulturës së mosndëshkimit, e cila po zhvillohej, si një formë normale paralele e një sistemi autokrat. Një sistem vertikal, ku energjia buronte nga familja kryesore e kastës. Sa më afër familjes në bashkëpunim, aq më shumë rritej imuniteti ndaj mosprekjes ligjore dhe ndëshkueshmërisë.

Te tre këto faktorë, të kombinuar së bashku, kishin krijuar klimën e duhur për një tërheqje totale drejt një izolimi, i cili mbase nuk llogaritej të vinte pikërisht si pasojë e këtyre lëvizjeve. Sepse këto faktorë nuk funksionojnë të shkëputur nga disa elementë të tjerë, që janë krijimi i rretheve klienteliste dhe pushtetkërkuese, të cilat duke e rrethuar elitën politike, si pasojë e shkëmbimeve të interesave kryesore, i kishin krijuar rrethanat e duhura për një izolim, për hir të ekskluzivitetit dhe ruajtjes së interesave që përfaqësonin.

Këto faktorë dhe elementë ndihmës që krijuan shkëputjen nga realiteti, u kombinuan në mënyrë perfekte, me zgjedhjen personale të ’kushtëzuar’ dhe të dirigjuar në formë vertikale: ecje përpara me çdo kusht dhe shpërfillje e të gjithë kuadrit ligjor.

Pra, vijmë në një moment, ku edhe të ekzistonte dëshira për reflektim, për analizë, dhe për kthim në realitet, kjo ishte shndërruar në një Mision të Pamundur. Nëse elita politike në fillimet e saj u shkëput, mbase jo plotësisht me vetëdije nga realiteti, kuadri i gjerë i gjërave që kishin ndodhur vit pas viti, e izoloi atë totalisht në një ’burg virtual’, ku ishte e detyruar të besonte, se, ai ishte pikërisht ’realiteti real’. Dhe kjo është arsyeja, që më shumë nga të gjithë tronditjen dhe shokimin, mbi këtë rezultat, po e ndjen ish-kasta drejtuese.