Ngjela: Rama duhet të ndryshojë trajektore ose gjejmë Kryeministër tjetër

58

Spartak-Ngjela1Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, ka deklaruar në një intervistë se është e rëndësishme që Rama  të ndryshojë trajektoren, ose duhet ndërruar me një kryeministër tjetër.

“Kryesorja nuk po qeveris dhe po krijon tension në emërime. Ka një tension të brendshëm të nocionit administratë që ka vetë PS-ja. Me një sfidë djaloshare jo të një burri shteti, të çosh drejtor të Tatimeve njeri të panjohur në një kohë që këtu është bërë kërdia me korrupsion, më duket paaftësi ndaj shtetit. Kryeministri duhet ta kuptojë që nuk është regjim që vjen pas një lufte partizane, por është shtet borgjez dhe duhet të respektosh administratën, sepse këtë e vuan kapitali. Këtu s’ka pasur korrupsion, por krim shtetëror. Ta trajtosh kështu ose nuk di gjë fare çfarë bëhet, ose ke ndërmend të vazhdosh që anija të mbytet,”tha Ngjela për ABC News.

Ngjela ka kërkuar më shumë përqendrim tek reformat dhe ligji.

“Edhe Saliu luftën kundër korrupsionit kishte, edhe Mubarak. Kjo s’do të thotë gjë. Unë dua të di kush është lufta. Ajo nuk është me armë, por me ligj. Trego reformat. Ka nevojë për reformë kushtetuese dhe gjithë aspektet e jetës ekonomike. Duhet të thirreshin të gjithë njerëzit e aftë që do drejtojnë shtetin. Ç’është kjo maxhorancë që del me një zë të vetëm dhe thotë, ik ti këtu e shko ti atje. Nuk ka grumbulluar një ekip. Të paktën të kishte respekt për ekspertizën e vjetër që ka brenda partisë së tij. Është njësoj si qeveritë e pashallarëve. Ka filluar shumë keq, unë s’kam si mbështes një qeveri me një Kryeministër të tillë. Rama duhet të ndërrojë trajektoren sa më shumë shpejt të jetë e mundur. Lëri takimet me diplomatët, ku kanë vlerë ato! Njerëzit duan një gjuhë që t’i japë shpresë dhe një kryeministër që të tregojë forcë në funksion të moralitetit. Jo të një grupi që ka atje, ca koço e ca moço. Pse me ata do ta drejtojë shtetin ai? Pse do ta mbështes unë? Absolutisht nuk e mbështes,” tha Ngjela.

Madje nuk kanë munguar edhe etiketime të tilla ndaj Kokëdhimës: “Njeri i pavlerë fare, i palarë. M’u duk si armik i ujit, briskut dhe sapunit. Fliste me një delir sikur drejtonte shtetin”.

“Gabim i rëndë nëse e drejton Koço Kokëdhima. Zërat brenda PS-së thonë që e drejton ky. Si mund ta drejtojë ai? Nëse e drejton ky, është fatkeqësi e rëndë. Gjendja më duket e rëndë. Nisja është e gabuar. Rama duhet të ndërrojë trajektoren. Ndërrimi i saj është krijimi i kompromisit me të gjithë ata që është konfliktuar, që janë shumë të fortë dhe persona që kanë krijuar vetë partinë. Rama ka rënë në entuziazëm patologjik për ngritjen me katapultë që u bë kryeministër apo ka arsye të tjera? Nuk ka rëndësi fare, por duhet të kthehet te gjuha e marrëveshjes. Duhet të ketë mendjen, sepse gjithçka mund të ndodhë. Nuk mund të lihet anija t’i bjerë ajsbergut, sepse paska ky ca koço, ca moço, ca loço. Në të kundërt, do biem atje ku ishte Saliu. Kjo nuk do të thotë që kryeministri i ri vjen me një maxhorancë kaq të kualifikuar, të bëhet fatkeqësi e maxhorancës. Kjo nuk tolerohet”.

I pyetur për marrëveshjen mes Ramës dhe Metës, Ngjela tha: “Ajo nuk është një marrëveshje e qëndrueshme, sepse Rama e ka të detyruar. Rama nuk ka fituar zgjedhjet. Duhet të fitonte në 2009-n, por nuk fitoi dot. Ishte turp. Ne e përkrahëm, por nuk fitoi. Duhet ta kishte rrëzuar qeverinë në Gërdec. Atëherë nuk kishte eksperiencë. E gënjyen injorantët që ka rrotull dhe i thanë po iku Saliu, ti nuk fiton dot. Sa i përket marrëveshjes me Metën, rezultoi e mirë. Ky nuk ka numrat. Meta nuk ka prishur asnjë marrëveshje politike. Rama ka prishur marrëveshjen politike me Metën, por, po të kish marrë 72, ky me këto që po shohim, nuk dihej ç’do kish ndodhur. Meta është i përgjegjshëm ndaj shtetit. Jam i bindur se 70% e këtyre që thashë unë, janë dhe vërejtjet e tij, unë nuk kam biseduar me të. Meta tani quhet i rehabilituar. Unë po të isha, Meta nuk kishte pse të vinte ministra. Ishte vetëm kryetar i Kuvendit. Problemi qëndron që gjendja nuk është në favor të maxhorancës. Këta mendojnë se është në favor të Kryeministrit. Jo, duhet të jetë në favor të vendit”.