Nëna e Verbofshit: E lini të kalbet në burg

51

policia-e-tiranesPas arrestimit, pendesa dhe frika dukeshin qartë në pamjen e jashtme të të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë, por edhe në ato pak fjalë që tha. “Jam penduar për vrasjet, nuk doja që të ndodhnin. Erdha në Poloskë nga frika e hakmarrjes. Doja të kaloja kufirin dhe të humbisja gjurmët. Jam penduar për krimin që bëra dhe do ta rrëfej në prani të avokatit”, tha Verbofshi, i pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore. Para grupit hetimor, Odise Verbofshi, pranoi autorësinë e krimit, duke u shprehur se do të rrëfejë ngjarjen në prani të avokatit. Verbofshi është arrestuar teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria, 72 orë pasi kishte kryer masakrën duke vrarë dhe më pas djegur brenda në makinë Albert Kasallën, 34 vjeç dhe Shaban Babasin, 27 vjeç, nga Fushë-Kruja. Policia e Korçës deklaroi se Odise Verbofshi u arrestua dje në Bilisht, pranë kufirit shqiptar me Greqinë.

Përgjimi

Policia e Durrësit e ka zbuluar vendndodhjen e Odise Verbofshit përmes përgjimeve telefonike. Ai i kishte kërkuar ndihmë një shoku në telefon, për t’i kërkuar ushqim dhe i ka treguar se ku ndodhej, në një pyll të vogël jo shumë larg kufirit. Policia e ka përgjuar dhe ka lokalizuar vendin dhe më pas ka bërë arrestimin e tij. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, arrestimi i 32-vjeçarit nga Shkozeti i Durrësit është bërë nga efektivët e Policisë Kufitare të Korçës. Ndalimi i tij u bë në afërsi të fshatit Poloskë, në rrethin e Devollit, pranë kufirit me Greqinë në përpjekje për të kaluar në shtetin fqinj. Burime nga komisariati i Devollit bënë me dije se i arrestuari kishte shkuar tek vjehrrit e vëllait të tij dhe është vënë në prangat e policisë pikërisht në banesën e tyre. Pas arrestimit Odise Verbofshi do të transportohej në qytetin e Durrësit ku edhe kreu krimin tronditës. Policia e Durrësit ka marrë masat për transportimin e tij dhe për të vijuar më tej procedurat penale. Për disa orë i arrestuari Odise Verbofshi është mbajtur nën masa të rrepta sigurie në komisariatin e Devollit. Në fakt policia e kishte krijuar një hartë të vendeve të mundshme se ku mund të fshihej Verbofshi. Pas mbledhjes së dëshmive nga personat e shoqëruar dhe sidomos të bashkëpunëtorit, Gazep Pili, u bë e qartë se ai do të tentonte të kalonte kufirin me Greqinë.

Dëshmitarja

T.Gj., pronarja e shtëpisë në Devoll ku kishte qëndruar Odise Verbofshi shprehet se, 32-vjeçarin e njihte për njeri të mirë. Ajo sqaron se para se të arrestohej nga policia, 32-vjeçari kishte shkuar pak minuta në banesë më pas ishte nisur për në mal dhe kur u rikthye u kap nga policia.

“Odiseja erdhi dje, qëndroi pak dhe më pas iku në mal. Kur u kthye e kapi policia. Nuk dija asnjë gjë për krimet që ai kishte bërë, të gjitha i morëm vesh nga televizori. Odise Verbofshin e njihnim për djalë të mirë”- është shprehur T.Gj. Ajo ka treguar se me familjen e 32-vjeçarit kanë lidhje krushqie.

Krimi

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten, 20 shkurt 2014, rreth orës 22:00 dhe si shkak ka pasur prishjen e pazareve të drogës mes të rinjve. Odise Verbofshi u shpall në kërkim si i dyshuar për vrasjet. Në banesën e autorit, në Shkozet, përveç gjurmëve të gjakut dhe dy pistoletave, u gjetën edhe 74 kg lëndë narkotike. Ai akuzohet për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “prodhim e shitje e lëndëve narkotike”.

Sipas hetimeve të policisë rezulton, se Shaban Babasi dhe Albert Kasalla ishin vrarë paraprakisht me armë zjarri dhe më pas ishin transportuar nga Shkozeti për në ish Kënetë, Durrës për t’u djegur nga autori i ngjarjes së bashku me automjetin në funksion të fshehjes së gjurmëve e provave. Ekzekutimi i dy të rinjve rezulton se ka ndodhur brenda ambienteve të banesës së autorit në Shkozet, me armë zjarri pistoletë. Sipas policisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes u shoqëruan dhe u pyetën 36 persona që kishin dijeni mbi ngjarjen. Por rrëfimi i Gazep Pilit, familjar i gruas së Verbofshit, ishte vendimtar për zbulimin e mekanizmin e vrasjeve. Ai është akuzuar për veprën penale “fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Ndërkohë të afërmit e 20-vjeçarit Gazep Pili kanë deklaruar se, Odisea e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar një bidon me benzinë, pasi e kishte lënë makina në rrugë. 20-vjeçarin e kanë regjistruar kamerat e sigurisë teksa mbushte bidonin në një karburant dhe kjo i ka çuar policët tek bashkëpunëtori. /Re.Th./

Leta Verbofshi: Ngushëllime familjarëve për atë që u bëri djali im

Edhe familja e tij e mallkon për krimin e kryer. E tronditur nga ngjarja e rëndë, Leta Verbofshi ka deklaruar se ajo ka qenë në Itali kur është vënë në dijeni të asaj ç’ka ka bërë djali. “Shpreh ngushëllimet tona për këtë që ka bërë djali ynë. Ai meriton të kalbet në burg dhe ne nuk kemi pse t’i gjejmë as avokat. Le të marrë dënimin që i takon. Nuk më intereson djali që është në burg, më vjen keq për familjarët, për dhimbjen e tyre dhe dua të ndaj dhimbjen me ta. Më shumë kemi ardhur për familjarët e viktimave dhe këto janë fjalë zemre”, shprehet nëna e Odise Verbofshit. “Sapo e morëm vesh kemi ardhur menjëherë këtu. Me mori në telefon vëllai dhe më tha hajde se ka ndodhur gjëma. Më shumë kemi ardhur për familjarët e viktimave dhe këto janë fjalë zëmre”, ka thënë Violeta Verboçi duke folur për median. Ajo ka treguar se fëmijët i ka rritur duke punuar gjithmonë ndershmërisht.

“Kam 32 vjet që jam martuar dhe kemi punuar me djersën e ballit. 12 vite në Nish-Goma, kemi sakrifikuar prej 8 vitesh për të bërë këtë shtëpi ku ndodhi hataja”, tha ajo. “I kam edukuar me shpirt për të qenë të respektuar, kjo është e pafalshme”, ka përfunduar fjalën e saj nëna e autorit të krimit, Violeta Verbofshi.