Ndryshime në rregulloren e Kuvendit për më tepër transparencë

60

kuvendi-i-shqiperise1Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të medias ku u diskutua mbi rregulloren për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedive në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit ka falënderuar përfaqësuesit e media për punën dhe angazhimin e tyre për të pasqyruar punimet e Kuvendit në mënyrë të vazhdueshme. Meta theksoi se puna e medias i shërben transparencës dhe është një detyrim për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së Kuvendit dhe çdo parlamentari në raport me qytetarët e vendit dhe me votuesit dhe taksapaguesit.

“Dua t’iu falënderoj për punën dhe angazhimin tuaj për të pasqyruar punimet e kuvendit në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm të seancave plenare por edhe të komisioneve të përhershme, edhe të grupeve të ndryshme parlamentare dhe të gjithë aktiviteteve që kanë të bëjnë me Kuvendin, me rolin dhe përgjegjësitë e tij. Sepse është në shërbim të transparencës. Është një detyrim për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së Kuvendit dhe çdo parlamentari në raport me qytetarët e vendit dhe me votuesit dhe taksapaguesit”, u shpreh ai.

“Njëkohësisht duke qenë se në kuadër të angazhimeve për një përmirësim të mëtejshëm të këtij raporti dhe të një sanksionimi sa më demokratik, por njëkohësisht edhe funksional të kësaj marrëdhënieje, në kuadër të projekt-rregulloreje për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmediave pranë Kuvendit të Shqipërisë gjykuam për të bërë këtë takim në mënyrë që edhe ju të jepni mendimet tuaja bazuar nga eksperienca e deritanishme e komunikimit me Kuvendin dhe zhvillimit të punimeve apo aktiviteteve të tij”, vijoi Kryetari i Kuvendit.

Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Shtylla, foli për projekt-rregulloren që do të trajtojë në përmbajtjen e saj të gjithë procedurat dhe mënyrat si Kuvendi dhe shërbimet e Kuvendit do të bashkëpunojnë me të gjithë organet e masmedias.

“Transparenca e veprimtarisë parlamentare është një nga elementët më të rëndësishëm, që është theksuar në raportet ndërkombëtare në përgjithësi, por edhe në raport-progresin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2013. Pikërisht në vijim të këtyre përcaktime të rëndësishme, Kuvendi bazuar edhe në rregulloren e tij mendoi që të hartonte një rregullore e cila duhet të trajtonte në përmbajtjen e saj të gjithë procedurat dhe mënyrat si Kuvendi dhe shërbimet e Kuvendit do të bashkëpunojnë me të gjithë organet e masmedias”, tha  Shtylla.

Sakaq, ajo theksoi se në bazë të rregullores së Kuvendit dhe në Kushtetutë është parashikuar që Kuvendi e ka veprimtarinë e tij të hapur, çka do të thotë që ai duhet të përcillet me mesazhet e tij, por njëkohësisht edhe me praninë e tij te publiku i gjerë.

“Pikërisht bazuar në këto përcaktime është mbështetur edhe formulimi i dispozitave të rregullores, janë mbështetur mbi parimin e transparencës, mbi parimin e të drejtës së informimit dhe mbi parimin e veprimtarive të hapura për publikun të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo çfarë ne kemi trajtuar në mënyrë të përmbledhur në këtë rregullore janë procedurat e akreditimit të masmedias. Juve besoj jeni prej vitesh në Kuvend, keni kaluar nëpër procedura të ndryshme përsa i përket akreditimit, këto procedura do të jenë të qartësuar në një projekt-rregullore, e cila do të trajtojë pikërisht organet dhe personat që kanë të drejtë të akreditohen”, u shpreh ndër të tjerash Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë diskutimeve përfaqësuesit e medias të pranishme në këtë takim kanë dhënë sugjerimet e tyre për projekt-rregullore dhe kanë shkëmbyer mendimet me stafin e Kuvendit. Në fund, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, siguroi përfaqësuesit e medias se të gjitha sugjerimet e tyre do të reflektohen në draftin final