“Mziu”, sekuestrohet dosja e tenderit

57

xhelal mziuProkuroria vijon të hetojë në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu. Ditën e djeshme ka përfunduar inspektimi i materialeve dhe i procesverbaleve të të gjithë praktikës së tenderimit të rrugës “Zgjimi” që çoi në pranga Mziun.

Një oficer i policisë gjyqësore mësohet se ka mbledhur materialin që është gjendur në Bashkinë e Kamzës në lidhje me praktikat e tenderit ku merrte pjesë firma “Gjoka”. Pas ankimit të “Gjokës” në Komisionin e Prokurimit Publik erdhi ndëshkimi i kryebashkiakut Mziu. Ndërkohë, prokuroria është rikthyer në gjykatë ku ka kontrolluar të gjitha vendimet që janë dhënë kundër Xhelal Mziut në lidhje me disa gjoba të vendosura ndaj bizneseve të ndryshme. Madje, një prej subjekteve që është ankuar në gjykatë kundër bashkisë, është pikërisht kjo “Gjoka”, që krijoi përplasje edhe për tenderin e rrugës.

Prokuroria po heton edhe përplasjet për stadiumin e Kamzës. Janë këto tre episode që mbajnë tashmë në hetim Xhelal Mziun, ndërsa pritet që Gjykata e Apelit të vendos nëse kryebashkiaku i Kamzës do të lihet në qeli apo ndaj tij do të ndryshohet masa e vënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Arrestimi  i Mziut erdhi pas një hetimi, i cili kishte nisur disa muaj më parë, nga krimi ekonomik në Policinë e Tiranës.

Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj drejtorit juridik në Bashkinë e Kamzës, Atli Hoti, i cili është shpallur në kërkim dhe ende nuk është bërë e mundur të identifikohet vendndodhja e tij. Rreth 80 milionë lekë të reja ka qenë fondi i segmentit rrugor Valias i Ri-Laknas dhe Mziu akuzohet se ka skualifikuar kompaninë me ofertën më të ulët, duke ia lënë tenderin një kompanie tjetër e cila kishte dhënë rreth 20 milionë lekë më pak.