Ministrat i japin “OK” nga Shkodra programit të 100 ditëve

51

rama ministrat Kryeministri i zgjedhur Edi Rama mblodhi sot në Shkodër kabinetin e ri qeveritar. Vendimi për mbajtjen e mbledhjes në Shkodër u bë i ditur nga Rama pasditen e së dielës. Edhe kjo mbledhje e dytë pritet të zgjasë 2 ditë.

Vetë Rama raportohet të ketë mbërritur sot rreth ores 15:45 në qytetin e Shkodrës, ndërsa mbledhja e dytë informale e kabinetit të ri qeverisës nisi rreth orës 17:20.

Mësohet se të gjithë ministrat do të paraqesin para kryeministrit të zgjedhur Edi Rama strategjinë për secilin dikaster, si dhe strukturën e ministrive përkatëse. Ndërkohë që sipas gazetës “Panorama”, para dërgimit në Kuvend të programit të tij qeverisës, më 2 dhe 3 shtator Edi Rama bashkë me ministrat e tij do t’i japin “Ok” programit të 100 ditëve të para të qeverisjes.

Pasi kanë përcaktuar prioritetet e punës së tyre në çdo ministri, në një diskutim të hapur dyditor mes tyre, ministrat do të diskutojnë se cilat janë masat më të mira për të frenuar situatën aktuale në ekonomi, rend, polici, arsim, shëndetësi etj.

Të gjithë ministrat mësohet se kanë përfunduar ato porosi dhe problematika që kishin dalë në mbledhjen e 10 ditëve më parë të zhvilluar në Vlorë, duke i hedhur në një plan të detajuar pune.