Meta: Qeveria la mbas dore Kolonjën e majtë

81

ilir-meta22Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka prezantuar sot kandidatin për deputet në rrethin e Kolonjës, Arben Malo. Meta ka thënë se Kolonja është lënë pas dore nga qeveria aktuale, për shkak se kjo zonë ka përkrahur tradicionalisht të majtën.

“Në rast se ka një rreth në Shqipëri që mund të thuhet pa e tepruar aspak se është braktisur përfundimisht nga kjo qeveri dhe për një kohë të gjatë e në mënyrë sistematike, ky është rrethi i Kolonjës. Kjo ndodh për arsye të paragjykimeve dhe për arsye të llogarive të ngushta elektorale. Paragjykimeve sepse Kolonja është një rreth që tradicionalisht ka përkrahur të majtën dhe për arsye të ngushta elektorale, sepse Kolonja për shkak të kësaj braktisjeje ka humbur një pjesë të madhe të popullsisë së saj, e cila ka shkuar në qytete të tjera apo ka emigruar jashtë vendit. Ndaj edhe interesi i qeverisë gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka qenë për të bërë diçka për Kolonjën, që këtu njerëzit të mos ikin, por ka qenë për të bërë investime në disa komuna të caktuara që kanë më shumë votues në Qarkun e Korçës. Dhe kjo është e gabuar, nuk është e drejtë, nuk është sociale, nuk është njerëzore dhe nuk është e moralshme”, u shpreh z. Meta.

Meta ka thënë se 23 qershori do të jetë dita e rotacionit dhe LSI do të ketë një përfaqësim më të madh në parlamentin e ri.

“Ne do të angazhohemi në drejtim të punësimit për të hapur vende pune të reja, sidomos për gratë që ato të bëjnë një jetë më aktive dhe të kontribuojnë për mirëqenien e familjeve të tyre dhe për edukimin e fëmijëve të tyre, tha z. Meta. Ne besojmë te vullneti i qytetarëve shqiptarë për të thënë një “po” të fortë për rotacionin, ndryshimin më 23 qershor. LSI si asnjëherë tjetër në dy zgjedhjet e kaluara këtë radhë është pjesëmarrëse në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor, që nga komisionerët, që nga numëruesit, që nga KZAZ-të dhe kudo. Është garant jo vetëm për të ruajtur dhe për të mbrojtur votat që jepen për LSI-në, por edhe për të mbrojtur votën e çdo qytetari të Kolonjës dhe të Shqipërisë. LSI do të ketë një përfaqësim më të rëndësishëm në parlamentin e ardhshëm, do të ketë një përfaqësim më të rëndësishëm edhe në qeverisjen e ardhshme, por edhe në atë rajonale dhe ne do të kujdesimi për ju për problemet tuaja për shqetësimet tuaja me atë dashuri që ju po na prisni në Kolonjë”, përfundoi ai.