Meta: Fituam në Kukës, por humbëm një mandat në Tiranë

48

meta jaleLëvizja Rinore për Integrim ka nisur sot “Akademinë Verore për Politikën”, ku në ceremoninë e rastit përveç kreut të LSI-së, Ilir Meta ishin të pranishëm dhe ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve. Gjatë fjalës së tij ambasadori amerikanë në Tiranë, Aleksandër Arivizu, ka komentuar zgjedhjet e 23 qershorit, ku theksoi se, pati përpjekje për kthimin e besimit fetar në çështje elektorale dhe për të krijuar ndarje veri-jug. Ai vlerësio fushatën e PS-së duke thënë se, “këtë herë punoi fort dhe mori 90 mijë vota më shumë.”

Ndërsa, ambasadori i BE-së, Etore Sekui foli për integrimin e Shqipërisë në BE, ku veçoi si sfidë kryesore zgjidhjen e problemeve të pronësisë. “Besoj se një pjesë e juaja kanë probleme pronësie ose janë në dijeni të tyre në Shqipëri. Ky është një shqetësim konkret që ndikon edhe në i integrimin e vendit në BE”, tha ai. Kurse, kreu i LSI-së, Ilir Meta vlerësoi kontributin e LRI-së në zgjedhjet e fundit parlamentare duke theksuar se, “është shembull pozitiv për të gjithë politikën shqiptare.”

Meta: Fituam në Kukës, por humbëm një mandat në Tiranë

“E kam të vështirë të falënderoj më shumë LRI-në e këtij qarku apo të atij qarku, sepse ju keni qenë të mrekullueshëm kudo në të gjithë vendin dhe ne kemi arritur të kemi një përfaqësim të shkëlqyer në nivel kombëtar. Por unë në mënyrë të veçantë do të falënderoja të rinjtë dhe të rejat e Kukësit, të Tropojës dhe të Hasit, që kanë punuar në kushtet më të vështira, që nuk ka arsye përse të përmenden këtu dhe të jeni të sigurt se ne deputetin e morëm në Kukës, por e humbëm në Lundër. Por nuk ka problem se kemi mjaft deputetë dhe kjo nuk do ta pengojë që t’i përfaqësojmë të gjithë ata votues të shumtë në Qarkun e Kukësit me shumë dinjitet t’i përkrahim në mënyrë të jashtëzakonshme.

Shpresoj të zgjidhem Kryetar i Kuvendit të ri dhe të përpiqemi bashkë edhe me Kejdin si deputeten më të re dhe me shumë të tjerë të sjellim një frymë pozitive, një frymë bashkëpunimi larg atyre konflikteve sistematike, larg atij protagonizmi arkaik, që ndërtohet vetëm mbi tensionin dhe provokimin e palës tjetër. Unë jam i bindur se kjo frymë pozitive që ne kemi sjellë dhe do ta shtojmë më tej do të reflektojë edhe në të gjithë politikën shqiptare dhe kjo falë jush, falë të rinjve dhe të rejave. Jam i bindur se në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë të sjellim risi, do të vazhdojmë të sjellim ndryshime të rëndësishme.

Arvizu: Po tregoni se keni vizion për të ardhmen

“Dua t’ju përgëzoj të gjithëve për një performancë të jashtëzakonshme gjatë zgjedhjeve. Dhe duket qartë se çfarë organizimi është dashur për të krijuar këtë natë sot. Ky është një shembull shumë i mirë i dedikimit dhe i punës së palodhur që keni bërë ju të gjithë gjatë kësaj fushate. Dhe siç e thatë edhe ju, është një festë e madhe, ka arsye për të festuar, por është gjithashtu një detyrë e madhe. Dhe në qoftë se ju i përgjigjeni sfidave që ka vendi me të njëjtin pozitivitet, me të njëjtin seriozitet atëherë ju do të keni sukses. Dhe gjëja e fundit, kur shikoj energjinë që projektohet nga gjysma e njerëzimit, pra njerëz si Klajda, si Erisa, si Kejdi, të gjitha vajzat, kjo tregon vizionin që ju keni për të ardhmen”.

Sekui: BE ka nevojë për energjinë tuaj

“Jam shumë i kënaqur dhe i prekur që ndodhem mes jush. Unë e pashë energjinë pozitive tek ju, tek mënyra sesi e organizuat këtë kamp. Jam i sigurt që këtë energji ju do ta përdorni edhe për të ndërtuar vendin sepse në fund të fundit ju jeni lidershipi që do të udhëhiqni të ardhmen e këtij vendi. Jam shumë i gëzuar që do të flasim për Bashkimin Evropian. Integrimi në Evropë ka të bëjë shumë me transformimin. Kam shumë shpresë dhe besim që me këtë energji që ne shohim, ju do të jeni në gjendje që të kontribuoni për ndërtimin e një Evrope më të mirë. Mua më pëlqejnë shumë të rinjtë shqiptarë për këtë energji që ata zotërojnë. Jam plotësisht i bindur se Evropa ka nevojë për një injeksion të kësaj energjie pozitive. Jam i sigurt që ju do të jeni një kontribut i madh në këtë drejtim sepse ne kemi nevojë për energjinë tuaj”.